Ndonëse jo me të njëjtin intensitet, reshjet e 24 orëve të fundit, kanë krijuar probleme në shumë rajone të vendit.  Në Shkodër uji ka mbuluar dhjetëra hektarë tokë, ndërsa aksi Shkodër-Dukagjin mbetet i bllokuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.

Në Lezhë vërshimi i ujërave është shoqëruar me mungesën e energjisë në disa fshatra. Më e rënduar situata paraqitet në Barbulloje, me disa shtëpi banimi të përmbytura dhe bagëti te dëmtuara.

“Tre ditë ka që është përmbyt toka. Dëmtime ka në bazë ushqimore, të blegtorisë. Ato mullarët e berit janë prishur pothuaj në brez e poshtë. Ka afruar 70 cm ujë.”

“Dhe populli ka faj se mbeturinat i hedh krejt në kanal dhe dyshekë kanë sjell këtu poshtë … është zënë kanali, me pagure, çfarë nuk sheh në kanal.”

E njëjta panoramë ka qenë gjatë paradites edhe në fshatin Fushë Kuqe, fushën e Torovicës dhe atë të Gjormit.

Në Durrës, banorët e lagjeve Spitallë, Porto Romano, Shkozet dhe zona të tjera periferike kanë vijuar edhe sot të heqin ujin nga katet e para të banesave të tyre.

“Po notonin, s’dinim si kalamaj se ku të flinim.”

“Ashensorët po, motopompat po, ujë i madh. Përmbytje sidomos njëherë te shpia jonë është ujë, skalohet.”

Drejtoria e Shkollës së Mesme “Hysen Çela” në lagjen 18 të qytetit, ka pezulluar mësimin në katin e 3-të të godinës për shkak të tarracës së amortizuar.

“I kemi lëvizur nxënësit, i kemi çuar në klasa të tjera. Ndërsa tani sigurisht me gjithë këto shira, ato u bënë akoma më tepër jashtë funksionit.”

Reshje të shumta shiu ka patur edhe në Librazhd, Fier e Korçë me shume toka bujqësore të përmbytura dhe lumenj të tejfryrë që kanë rrezikuar daljen nga shtrati./tvklan.al