Digat e hidrocentraleve kanë shmangur katastrofën si pasojë e situatës ekstreme të motit në fillim të janarit në veri të vendit. Ky është opinion i Andreë Sheerman-Chase, ekspert britanik për digat. Pasi ka parë nga afër zonat e përmbytura ai tha për televizionin Klan, se konstaton një përmirësim të ndjeshëm të situatës.
Andrew Sheerman-Chase: “Mësova se ka patur kritika në lidhje me operimin e digave, por opinion ynë është se digat nuk e kanë përkeqësuar situatën. Në fakt situata do të ishte shumë më ndryshe nëse digat nuk do të funksiononin”.
Për ekspertin britanik i angazhuar në zgjidhjen e një situate të ngjashme vitin e kaluar në Rumani, situata duket se po përmirësohet ndjeshëm falë angazhimit të strukturave përgjegjëse. Shumë shpejt do të hartohet edhe një plan veprimi ku emergjente është drenazimi i Drinit dhe Bunës, për të shkarkuar sa më shpejtë ujin e tepërt.
Andrew Sheerman-Chase: “Do të kemi një propozim në tre faza. Në atë afatshkurtër duhet përmirësuar rrjedha e lumit dhe forcimi i pritave në zonat kritike, ndërsa në atë afatgjatë, në ripyllëzimin e zonës dhe menaxhimin e mirë të tokës. Mendoj se deri tani qeveria ka bërë një punë të mirë në përballimin e situatës”.
Eksperti i digave drejtoi dhe një këshillë për banorët e zonës.
Andrew Sheerman-Chase: “Një problem i konstatuar është se njerëzit kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në zonat pranë digave. Ata duhet të jenë të kujdesshëm kur ndërtojnë, për të mos u rrezikuar nga përmbytjet”./tvklan.al