Thiago Motta bëri prezantimin si trajner i Juventusit, pavarësisht se ishte zyrtarizuar prej disa javësh.

Tekniku 41-vjeçar u shfaq shumë entuziast, ndërsa deklaroi se është i lumtur që është pjesë e një cikli të ri te “Zonja e Vjetër” dhe ishte i sigurt për një sukses në të ardhmen.

Motta theksoi se pas ndeshjes dëshiron skuadër krenare, sepse kjo tregon që kanë dhënë maksimumin.

“Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e një klubi historik si Juventusi. Jam i sigurt që do të hapet një cikël shumë interesant. Dua një skuadër krenare dhe të lumtur pas çdo ndeshje, sepse kjo do të thotë që gjithmonë është dhënë maksimumi. Kam ardhur në kohën e duhur, jam i lumtur që jam pjesë e një cikli të ri.”

I pyetur për objektivin, Motta theksoi se momentalisht mendon vetëm për të përgatitur sa më mirë skuadrën.

“Objektivi i parë është të përgatitemi mirë dhe të jemi gati për përballjen me çdo skuadër. Jam dakord, që në të gjitha ekipet e mëdha, duhet të fitosh. E ndjej përgjegjësinë për këtë, por është diçka e mrekullueshme. Nuk do e ndryshoja këtë vend, me asnjë tjetër. Dua të jap më të mirën time, të përcjell entuziazmin dhe motivimin tim.”

Trajneri kërkoi motivim nga lojtarët, ndërsa kishte një kërkesë edhe për mesfushorët.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, ajo që ka rëndësi është motivimi që vendosim pavarësisht kundërshtarit dhe konkurrencës. Për këtë duhet të përgatitemi sa më mirë. Për mua, mesfushorët duhet të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka: të mbrojnë, të sulmojnë dhe të shënojnë gola.”

Motta do të bëjë debutimin në stolin e Juventusit në miqësoren ndaj gjermanëve të Nurnberg më 26 korrik, ndërsa në një sfidë zyrtare, do të debutojë ndaj Como-s, në ndeshjen e parë të Serie A, më 19 gusht. /tvklan.al