Ministria e Transporteve ka paralajmëruar të gjitha firmat që kryejnë punë publike se do të penalizohen ashpër në rast të shkeljes së afateve apo konstatimit për cilësi të dobët të punimeve. Shembulli i këtyre masave janë dy kompani që kishin marrë përsipër ndërtimin e unazës së qytetit të Kavajës, për të cilat kjo ministri i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik heqjen e licencës.

Erla Mhilli: “Shkak për këtë, është bërë fakti që dhe pse i është shtyrë afati i punimeve për ndërtimin e unazës Kavajë, ende sot e kësaj dite ato nuk kanë përfunduar. Përveç vonesave këto 2 subjekte kanë realizuar një cilësi punimesh të pa pranueshme. Kërkesa e Ministrisë së Punëve Publike drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik, është vetëm një paralajmërim për të gjithë kontraktorët. Ministria do të vazhdojë të marrë masa drastike të dërgojë për penalizim të gjitha subjektet që nuk do të përmbushin detyrimet kontraktuale si në shkeljen e afateve dhe në cilësinë e punimeve”.

Kontrolli për shkeljet në zbatimin e projekteve publike, do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të vendit./tvklan.al

Gazetar: Leonard Mitro