Përmbytja e ndodhur në zonën e Nën Shkodrës ka mobilizuar prej ditësh edhe dikasterin e turizmit dhe kulturës, pasi Qarku i Shkodrës është një nga qarqet më të pasura me objekte kulti, shumë të tillë edhe monumente, si Kisha e Shirgjit, vetëm 40 minuta larg nga qyteti i Shkodrës, aty ku bashkohet Buna me Drinin.

Ferdinand Xhaferri: “Na janë dëmtuar disa objekte të kultit. Dy janë shumë të rëndësishëm. Është Xhamia e Plumbit në Shkodër dhe Kisha e Shirgjit, po kështu janë dhe 7 xhami të tjera të dëmtuara, po kështu dhe një kishë tjetër. Unë sot në analizën vjetore që isha në Komitetin e Kulteve, i lashë porosi të qarta që ata të bashkëpunojnë me institucionet fetare, që pavarësisht përkujdesjes që ne duhet të japim për ato objekte të kultit që janë monumente kulture, ne duhet ti asistojmë edhe institucionet fetare edhe për rehabilitimin sa më të shpejtë dhe të objekteve të tjera të kultit”.

Ministri Xhaferri njoftoi ngritjen e një grupi pune të drejtuar nga dy zv/ministrat e turizmit dhe kulturës, të cilët po inspektojnë nga afër dhe po monitorojnë gjendjen e zonave monumentale në këtë pjesë të Shqipërisë, si dhe ndihmën monetare të mbledhur nga institucionet artistike, në varësi të kësaj ministrie.

Ferdinand Xhaferri: “Ndihma më fisnike, më e hijshme është kontributi që dhanë Administrata e Ministrisë së Kulturës, kontribut financiar, administrata dhe artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Teatrit Kombëtar. Situata është në vëzhgim dhe ka një monitorim të përditshëm për të parë se si është situata e objekteve të kultit në Qarkun e Shkodrës”./tvklan.al