Nëse realizohen projektet që ka në plan në bashkëpunim me koreografin mbarëbotëror, Daniel Ezralow, balerina Klaudia Pepa mund të kthehet në Shqipëri brenda vitit të ardhshëm. E ftuar këtë të hënë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Pepa ka treguar më me detaje si është jeta e saj në Itali.
Blendi Fevziu: Si është jeta jote në Itali?
Klaudia Pepa: Një jetë normale dhe me impenjime artistike.
Blendi Fevziu: Të mungon familja?
Klaudia Pepa: Po, më mungon familja kthehem shumë shpesh për ata dhe ata vijnë shumë shpesh tek unë. Jam stabilizuar.
Blendi Fevziu: A do të kthehesh sërish në Shqipëri me ndonjë projekt?
Klaudia Pepa: Nuk e di për momentin, shpesoj që po. Kam 2-3 projekte dhe siç kam folur dhe me Daniel dhe të tjera, të cilat nëse realizohen, mund të kthehem në Shqipëri brenda vitit të ardhshëm.
Blendi Fevziu: Mirë se të vish, unë vetëm kaq mund të them!
Gjatë intervistës, Klaudia Pepa ka rrëfyer fillimet e saj në shtetin italian, për të cilat ka thënë se nuk kanë qenë aq të lehta, por falë talentit të saj ia ka arritur të shkëlqejë.
Blendi Fevziu: Si shkove në Itali?
Klaudia Pepa: Shkova për të bërë audicionin e “Amcit” dhe aty pastaj filloi jeta ime deri tani.
Blendi Fevziu: Sa i vështirë ka qenë integrimi në Itali?
Klaudia Pepa: Ka qenë pak i vështirë edhe sepse në fillim nuk isha shumë e mbështetur, por që besoj se talenti më ka ndihmuar. Ndoshta ishte aq i fortë saqë njerëzit mendonin më shumë talentin dhe vlerësohesha për të se sa nga vija unë.
Blendi Fevziu: A kishte paragjykime?
Klaudia Pepa: Po, kishte paragjykime, por besoj se e kapërceva si periudhë dhe si fakt. Tani jam e stabilizuar mirë. Jemi duke bërë projekte shumë të bukura dhe përveç baletit jam duke eksperimentuar si prezantuese, si aktore, kam bërë disa filma, 3 filma deri tani: 2 filma në role të vogla dhe një tjetër si protagoniste./tvklan.al