Ndodhemi në Javën Ndërkombëtare të Epilepsisë e cila shërben për të ndërgjegjësuar njerëzit rreth një prej sëmundjeve më të vjetra. Shpesh njihet edhe si “sëmundja e tokës” dhe rreth 65 milionë njerëz në botë jetojnë me të.
Shefja e shërbimit të Neurologjisë në QSUNT, Jera Kruja shpjegon në programin “Rudina” në Tv Klan se në 50-60% të rasteve nuk dihet shkaku i epilepsisë. Ajo është kryesisht e përhapur në vendet në zhvillim dhe mund të shfaqet në çdo moshë.
Jera Kruja: Kemi raste të tjera të njohura që fillojnë nga traumat kraniale, ja pse në vendet në zhvillim kemi më shumë, nga traumat e lindjes që përsërin në vendet në zhvillim procesi i lindjes është më i vështirë. Shumë gra në vendet e varfra lindin në shtëpi, në arë, lindin kudo, pra i krijojnë premisa atij fëmije që të ketë një traumë kraniale të gjendjes së epilepsisë. Traumat automobilistike.
Rudina Magjistari: Pra dikujt mund t’i shfaqet sëmundja e epilepsisë edhe gjatë jetës?
Jera Kruja: Patjetër, në çdo moshë fillon epilepsia. Traumat gjatë lindjes, traumat automobilistike janë të para, neuroinfeksionet pastaj në vendet në zhvillim janë më të shprehura, më pak të trajtuara dhe kur kapin sistemin nervor qendror që është truri, mund të shoqërohen me epilepsi. Ka edhe sëmundje të tjera pastaj, çdo patologji që prek trurin në përgjithësi. Tumoret shkaktojnë shpesh epilepsi, por për fat tumoret e trurit nuk janë shumë të shpeshtë, por shpeshherë kur kemi tumor të trurit, epilepsia mund të jetë shenjë debutuese, e kuptojmë që i sëmuri ka tumor sepse debuton me krizë epilepsie. Ka edhe shkaqe gjenetike.
Kurba e epilepsisë është e pranishme në fëmijëri, pëson rënie gjatë jetës dhe ka një rritje te mosha e tretë për shkak të dëmtimit të trurit. Sëmundja ka dy forma kryesore, vatrore dhe të gjeneralizuar.
Jera Kruja: Të gjeneralizuar kemi abstanca te fëmijët, është një moment shkëputjeje nga realiteti që është me sekonda, që zakonisht e kuptojnë mësuesit dhe jo prindërit. Është një gjë shumë e shkurtër që fëmija shkëputet dhe vazhdon, mund të përpëlisë sytë, mund të bëjë ndonjë grimasë dhe kalon.
Forma e gjeneralizuar e abstancës është e kurueshme dhe e shërueshme, çka do të thotë se një fëmijë kur të rritet ka pak gjasa që t’i rishfaqet epilepsia. Forma vatrore është më e ndërlikuar, është e zgjatur por jo e rëndë.
Jera Kruja: Lloji tjetër janë format fokale, për shembull një formë fokale shumë intriguese është epilepsia që me gjuhën e vjetër quhet temporale ose epilepsia e Dostojevskit që duke e pasur vetë këtë lloj epilepsie e ka përshkruar te personazhet e tij. Është epilepsi që mbledh shumë shenja, përfshirë ato psikike, gjendje transi, në këtë lloj epilepsie, vetëdija nuk është 100% e humbur, është e errësuar, pacienti bën veprime automatike që nuk i mban mend, janë përshkruar spostime, hipën në avion në një fluturim tjetër dhe është zgjuar te ai vendi tjetër. Është e zgjatur, por nuk është e rëndë./tvklan.al