Për çështjen e dhunës psikologjike dhe fizike ndaj bashkëjetueses së tij në Shirgjan të Elbasanit, emisioni “Stop” në Tv Klan komunikoi me Taulant Qosjen, ish-partnerin e saj të akuzuar. Ky i fundit pretendon se partnerja dhe familjarët e saj kanë bërë kallëzim të rremë.
Ish-bashkëjetuesi: E ëma me të vëllain bëjnë kallëzim të rremë, sikur unë e mbaja mbyllur, e torturoja, e rrihja, e bëja. Erdhi policia, foli me zonjën.
Gazetarja: Pse, ju nuk e keni prekur asnjëherë me duar?
Ish-bashkëjetuesi: Jo, jo! Fare! Dëgjo të lutem! Dhe atë natë, që ka ik përfundimisht ia nxorëm valixhen, urdhëro zonjë, mund të dalësh, të ikësh!
Gazetarja: Me fëmijën apo pa fëmijën?
Ish-bashkëjetuesi: Fëmija ishte aty normal!
Gazetarja: Z. Taulant, po ato valixhet ku kanë humbur që zonja nuk ka mundur t’i tërheqë?
Ish-bashkëjetuesi: O zonjë! Unë kam përgjegjësi për sendet e mia personale.
Gazetarja: Kam informacion që ju keni kamera sigurie. Janë në funksion?
Ish-bashkëjetuesi: Kamerat e sigurisë nuk janë në funksion!
Gazetarja: Pse, çfarë u ka ndodhur kamerave të sigurisë?
Ish-bashkëjetuesi: Po ku di unë, unë s’gjeta as aparatin e kamerave.
Gazetarja: Nuk keni ushtruar dhunë kurrë tek ajo?
Ish-bashkëjetuesi: Asnjëherë, biles herën e fundit, ajo më kapi prej fyti, herën e fundit, kur kishim debat. Fëmija do qëndrojë aty ku jam unë, biles unë du, që edhe fëmija të shikojë nënën, shikojë dhe babën, sipas rregullit dhe ligjeve. Kudo, që ta shoh në qoftë se vjen ose hyn, do çohem do iki, s’dua t’ia shoh sytë e ballit!
Psikologia Brunilda Laboviti u bën thirrje prindërve të kenë kujdes gjatë debateve dhe skenave në sy të fëmijëve, pasi traumat që mbeten tek të vegjlit mund të jenë afatgjata.
Gazetarja: Me babin si i ke marrëdhëniet?
Fëmija: Mirë.
Gazetarja: Të ka mërzitur ndonjë gjë me babin këto kohë?
Fëmija: Po.
Gazetarja: Çfarë të ka mërzitur?
Fëmija: Që i thotë mamit llafe të pista dhe gjëra të tjera.
Gazetarja: Po ti pse i dëgjon këto gjëra?
Fëmija: Nuk e di. Gjithmonë jam aty prezent dhe kam frikë ta lë mamin vetëm.
Gazetarja: Pse, ke parë ndonjë gjë që të ka trembur që mos ta lësh mamin vetëm?
Fëmija: Po.
Gazetarja: Çfarë?
Fëmija: Dhunën.
Gazetarja: Çfarë nënkupton me dhunë ti se je shumë e vogël?
Fëmija: Me grushta ose me shqelma, me dorë.
Gazetarja: E ka bërë babi një gjë të tillë kundrejt mamit në syrin tënd?
Fëmija: Po.
Gazetarja: Kur ka ndodhur?
Fëmija: Ka ndodhur në verë.
Gazetarja: Po kundrejt teje ka pasur ndonjë tentativë?
Fëmija: Jo. Unë dua të vazhdoj të flas me babin, mjafton që ai mos të kapet me mamin tim./tvklan.al