Në Shqipëri nuk ka polici. Ky është një fenomen që tashmë e konstatojmë të gjithë dhe sidomos në sezonin turistik.

Mjafton të instalosh aparatet matëse akustike përgjatë gjithë bregdetit shqiptarë nga ora 00:00 e natës e deri në orët e para të mëngjesit dhe kupton që ky bregdet është i pabanueshëm nga zhurmat e muzikës së lartë, nga diskot pa leje dhe nga mungesa e edukatës qytetare.

Me mijëra fëmijë mbeten pa gjumë, me dhjetëra banorë dhe turist gjithashtu. Bregdeti shqiptar është kthyer në një Afganistan muzike e diskosh ku zhurma është e pamëshirueshme si ndaj banorëve që pushojnë në hotele ashtu edhe ndaj atyre që kanë blerë vila për të pushuar në qetësi.

Sepse qindra disko funksionojnë pa leje, me mijëra telefonata pushuesish kanë mbetur pa përgjigje, pikërisht nga korruptimi i forcave të policisë nga këto lokale nate.

TV Klan ju deshën më shumë se 20 kronika televizive për të ndaluar motorët e ujit që lundronin 4 metra larg bregut të detit.

Sa kohë mund t’i duhet telefonatës së një qytetari shqiptar të marrë përgjigje nga policia për të ndalur një disko nate të pa ligjshme, ku një televizioni kombëtar ju deshën më shumë se 2 muaj.

Prandaj mos u habisni kur dëgjoni lajme të tilla, si ai i një jave më parë që filani vrau filanin se nuk pushojë orkestrën në klub, apo se filani vrau filanin se i prishi gjumin.

Pas këtyre lloj pushimesh mos prisni njerëz normal gjatë vitit. Është fare e qartë se në Shqipëri nuk ka polici.

Jua kemi dëshmuar dhe në kronikat e mëparshme, se policia mungon në aksin kombëtar përgjatë Himarës, se si rruga kombëtare atje është bllokuar me dhjetëra herë nga parkingjet e paligjshme dhe qytetarët kanë mbetur mbi 6 orë peng i inekzistencës së policisë.

E keni parë vetë kur keni shkuar për një kafe në Dhërmi dhe keni mbetur po ashtu peng i parkingjeve të paligjshme me orë të tëra.

E keni parë çdo fundjavë në rrugët e Durrësit dhe Vlorës. Fundja fundit keni 20 vjet që shikoni se si policia shqiptare kundrejt masave administrative është e paaftë t’u imponojë shqiptarëve të mbajnë rripin e sigurimit kur udhëtojnë. Është fare e qartë në Shqipëri nuk ka polici./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani