Turistë që nuk gjejnë vende në hotel, të tjerë që strehohen në çadra apo në rulo, është kjo panorama këtë sezon veror në jug të vendit.
Për të rritur kapacitetet akomoduese në rivierën shqiptare kryeministri Berisha ka hedhur idenë e subvencionimit të kredisë për banorët që do të zgjerojnë shtëpitë ekzistuese në funksion të turizmit familjar.
Numri dy i financave thotë se nëpërmjet kësaj pakete, pritet të shtohen rreth 1 mijë dhoma për turistët në bregdetin jonian.
Sherefedin Shehu: “Qeveria tani do të përgatis një paketë për mbështetjen financiare të familjeve që janë të interesuara për të krijuar kapacitete dhe për të vazhduar traditën e turizmit familjarë. Nga vlerësimet paraprake del që në zonën e bregut të paktën mund të krijohen edhe 1 mijë dhoma për akomodimin e turistëve në shtëpitë ekzistuese”.
Sipas Zv/Ministrit Shehu, paketa financiare për mbulimin e kostove të kredisë shkon në rreth 200 milionë lekë. Nuk do të ketë kufizime për nivelin e kredisë, e cila do të merret nga bankat private.
Sherefedin Shehu: “Nuk mendoj se ne do të vejmë limit. Ne do të përcaktojmë disa kushte, që në qoftë se do të shtosh të themi ne një dhomë, do të ketë një vlerësim të kostos të shtimit të dhomës që indirekt ne do të përcaktojmë dhe shumën që mund të përfitoj ndërtuesi. Por në qoftë se do të ndërtoj 2 dhoma ne nuk do të vejmë kufizime”.
Ky është hapi i dytë në përmirësimin e kapaciteteve akomoduese familjare në shërbim të turizmit, pas haneve në veri të vendit, tashme vëmendja e buxhetit shkon në jug ku edhe kërkesa nga turistët është më e lartë.
Shehu shton se do të përkrahen edhe iniciativat për ngritjen e resorteve apo fshatrave turistike konform planit të zhvillimit të bregdetit jonian./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro