Milani pësoi humbjen e radhës në kampionat, teksa u mposht me rezultatin 0-2 nga kryesuesit e Napolit.

Ishte një sfidë ku kuqezinjtë krijuan shumë raste për shënim, por nuk ia dolën ta dërgojnë topin në rrjetë.

Pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, deklaroi se skuadra e tij bëri mirë dhe shikon rritje.

“Mendoj se ata që luajtën bënë mirë. Nuk kërkoj justifikime. Ajo që po shikoj është rritja e ekipit. Duhet të përmirësohemi në mbrojtje, por unë kurrë nuk kam parë ndonjë ekip që ka vënë në fushë cilësinë sulmuese që kishim ne përballë Napolit. Leao? Nuk dua të hyj në detaje. Unë nuk i lutem asnjë lojtari, i menaxhoj gjërat ndryshe. Nuk ka asnjë konflikt mes nesh, mungesa e tij në formacion ishte vetëm një zgjidhje taktike”, deklaroi Fonseca.

Në krahun tjetër, trajneri i Napolit, Antonio Conte, u shfaq shumë i lumtur për rezultatin e arritur nga skuadra e tij, por tha se ka ende vend për përmirësim.

“Ne po punojmë në shumë drejtime. Mund të bëjmë akoma më mirë. Tri pikët duhet të na japin besim dhe moral, pa na bërë të humbasim qartësinë tonë. Ajo që më pëlqen te Napoli është atmosfera që po krijohet mes nesh. Të gjithë ndihen shumë të përfshirë në projekt. Kjo është gjëja më e mirë që mund të marr”, deklaroi Conte.

Me këtë fitore, Napoli mban vendin e parë me 25 pikë, ndërsa Milani renditet i teti me 14 pikë. /tvklan.al