Përdorimi i rrjeteve sociale nga të miturit ka qenë në qendër të një debati të organizuar në Durrës, ku nxënësit e shkollave 9-vjeçare ndanë përvojat dhe mendimet e tyre mbi këtë fenomen. Ata e vlerësojnë si të domosdoshëm përdorimin e telefonave celularë dhe aplikacioneve si WhatsApp, Snapchat dhe Tik Tok, të cilat zënë pjesën më të madhe të kohës së tyre online.

Sipas pedagoges Julinda Cilingiri, nxënësit jo vetëm që janë përdorues të rregullt të këtyre platformave, por shpesh përballen me sjellje problematike, përfshirë dhunën që mund të shfaqet në këto hapësira virtuale. Ajo thekson nevojën për ndërgjegjësim dhe masa parandaluese për të reduktuar këto rreziqe.

Nga ana tjetër, aktivisti Vladimir Thano nënvizoi rëndësinë e komunikimit të hapur dhe të ndërgjegjësimit për të menaxhuar pasojat negative që vijnë nga përdorimi i rrjeteve sociale. Ai i sheh këto përballje dhe diskutime midis nxënësve si një hap drejt zgjidhjes dhe rregullimit të efekteve të dëmshme.

Debati, që përfshiu nxënësit e shkollave “14 Nëntori” dhe “Eftali Koçi,” u organizua nga qendra për zhvillim komunitar “Sot për të ardhmen”. Ky aktivitet shërbeu si një platformë për të diskutuar sfidat dhe përgjegjësitë që sjell përdorimi i rrjeteve sociale, duke theksuar rëndësinë e edukimit mbi sigurinë online.

Klan News