Ministrat e mbrojtjes së NATO-s ranë dakord në Bruksel për trajnimin e 2500 trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës me gjithë dallimet e Spanjës dhe Turqisë. Vendimi vjen teksa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon shpalli planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut, që përfshin edhe bartjen e shumë kompetencave tek Bashkimi Evropian.  Moon bëri të qartë se rezoluta 12/44, do të mbetet korniza ligjore për mandatin e OKB-së dhe se BE gradualisht do të marrë përgjegjësi të shtuara operacionale në fusha si policia, drejtësia dhe doganat.  Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, KFOR-i do të vazhdojë të ketë mandatin e vetë dhe do të bashkëpunojë me forcat e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Kosovë. Roli i këtyre tre misioneve për sigurinë do të ndryshojë në një kohë të afërt tha Shefer, por mandati i NATO-s në Kosovë nuk do të ndryshojë derisa kombet e bashkuara të vendosin për të kundërtën.  Jaap de Hoop Scheffer: “Forcat e KFOR-it dhe NATO do të ndjekin me kujdes kornizën e propozuar në letrën e sekretarit Ban Ki-moon. Do të ketë padyshim një bashkëpunim të ngushtë mes misioneve UNMIK-ut dhe EULEX-it, por UNMIK do të qëndrojë në Kosovë.”
Vendimi i shefave të NATO-s vjen pak ditë para hyrjes në fuqi të kushtetutës, megjithatë lë shumë pikëpyetje mbi rolin e saktë të Bashkimit Europian dhe misionit të saj në terren pranë 16 mijë trupave të NATO-s./tvklan.al 

Gazetare: Urita Dokle