Seanca parlamentare e të enjtes është ndërprerë për të vazhduar ditën e hënë. Shkak për këtë është bërë deputeti socialist Erjon Braçe, i cili nuk ka pranuar të largohet nga faltorja e kuvendit pasi ka dashur të replikojë me kryeministrin Berisha, por që nuk është lejuar nga kryetari i seancës zoti Beja, pasi e ka konsumuar këtë të drejtë.

Fatoj Beja: “Zoti Braçe fol, fole çfarë dëshiroje, fole më shumë se të takonte në kohë. Lëre tani se e kanë të tjerët.”

Debati ka nisur fillimisht mes kryetares së grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj dhe kryeministrit Berisha, pasi ky i fundit ka përshëndetur edhe një herë firmosjen e protokollit të anëtarësimit në NATO të mërkurën në Bruksel.

Sali Berisha: “Do përshëndes dhe një herë ngjarjen historike.”

Për Leskajn kjo deklaratë e kryeministrit është abuzive, sipas saj Berisha duhet të shikojë me seriozitet problemet madhore që ka vendi ndërkohë që dhe reformat kanë të bllokuara sipas saj dhe për të gjitha këto çështje ka theksuar ajo kreu i mazhorancës nuk ka thënë asnjë rresht.

Valentina Leskaj: “Sot në kalendarin e Kuvendit ka qenë një projektligj për minatorët është hequr nga kalendari dhe minimalisht duhet të kishit treguar seriozitetin minimal duke e futur në kalendar, pse është hequr nga kalendari? Për këto duhet të vini të jepni përgjigjeje, për sa i përket NATO-s natyrisht ne jemi krenar, ne falënderojmë gjithë shqiptarët që kanë kontribuar,  sepse kanë kontribuar të gjithë shqiptarët, falënderojmë ushtrinë, falënderojmë gjithë ata aktorë, jemi të gatshëm të kontribuojmë, por juve nuk duhet të abuzoni me NATO-n.”

Sali Berisha: “Kam një tolerancë dhe e kam jo në praktikën time të reagoj ndaj të gjitha shpifjeve dhe trillimeve, por unë nuk mund të bije në merimangën e shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve të përditshme që gatuan kuzhina e politikës së re. Më lër rehat me këtë.”

Kryeministri ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitjen e rërës së plazhit të Vlorës në Itali.

Sali Berisha: “Akuzohem se i paskam dhënën rërën, po këto janë çmendurira mor, po kujt i dhashë rërë unë që s’më ka kërkuar njeri rërë që kur jam bërë kryeministër e gjer sot. Po këto janë gjëra, po ja pra kjo është fabrika, kjo të nderuar zotërinj është fabrika e mashtrimit të politikës së re.”

Ndërprerja e seancës ka shtyrë për në seancën e ardhshme dhe raportimin e kryeprokurores Ina Rama, për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2007./tvklan.al

Gazetarja: Elja Zotka

Operator: Petrit Xhaferri