Treguesit kryesorë të prodhuesve të të mirave gjatë periudhës Prill-Qershor të këtij viti paraqesin një tablo me dy pamje të ecurisë së ekonomisë shqiptare.
Kjo pasi nga 4 fusha të matura përmes anketës tremujore të INSTAT të kryer pranë ndërmarrjeve rezulton se 2 prej tyre kanë pësuar rritje, ndërsa 2 tjerat rënie.
Performancën më të mirë e ka sektori i ndërtimit, i cili gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ka shënuar një rritje me 17.2 për qind të shitjeve neto në volum dhe një rritje me 14.5 për qind të prodhimit, krahasuar këto me të dhënat e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërtimi rezulton gjithashtu sektori që ka regjistruar një rritje me 5.5 për qind të numrit të të punësuarve, e shoqëruar kjo me një rritje me 13 për qind të fondit të pagave.
Rritje ka shënuar edhe indeksi i treguesve për aktivitetin furnizim me ujë dhe trajtim mbetjesh.
Sipas anketës së INSTAT, shitjet neto në volum në këto aktivitete shënuan rritje 7,8 %, ndërsa prodhimi u rriti me 9.4 për qind.
Ndërsa dy aktivitetet e tjera që kanë të bëjnë me industrinë dhe energjinë elektrike gjatë tremujorit të dytë kanë shënuar rrënie. Më konkretisht,indeksi i shitjeve neto në volum në industri shënoi rënie 4,2 %, ndërsa prodhimi ra me 5 për qind.
Ndërsa fusha e katërt, që përfshin aktivitetet në energji elektrike, gaz dhe avull ka regjistruar një rënie të shitjeve neto me 17.5 për qind dhe rënie me 13.4 për qind të prodhimit në volum.
Tv Klan