Një grua po kërkohet nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se tentoi të rrëmbejë një fëmijë 2-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditëve të fundit në një supermarket në kryeqytet. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Klan News, ajo shikon fëmijën vetëm dhe i afrohet e më pas e merr në krahë. Pasi ndalon në një moment pranë kasës, gruaja bashkë me fëmijën drejtohet tek dera, me qëllim për t’u larguar.
Gruaja është pikasur shpejt nga personeli i supermarketit, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë lajmëruar prindërit.
Ka qenë babai i të miturës, i cili ka denoncuar ngjarjen në polici. 34-vjeçari ka kallëzuar se në “Rrugën e Barrikadave”, në një market, kjo shtetase ende e paidentifikuar, ka marrë në krahë vajzën e tij të mitur 2-vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është kthyer sërish.
Pamjet e gruas u janë shpërndarë të gjitha strukturave të policisë për të bërë identifikimin e saj. Nga veprimet që ajo kryen, blutë nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë me probleme të shëndetit mendor. Pas këtij episodi, policia ka marrë në pyetje disa persona, por nuk ka mundur të bëjë identifikimin e gruas.
Policia e Tiranës kërkon edhe ndihmën e qytetarëve me qëllim identifikimin e saj.
Klan News