Ngjarjet në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”, në ndeshjen Partizani – Skënderbeu pritet të jenë çështje kryesore e mbledhjes së radhës së Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që mblidhet të enjten.
Nëse në rastet, kur tifozeritë janë përleshur me njëra – tjetrën kanë invaduar fushën apo kanë hedhur tymuese e fishëkzjarre, Federata ka marrë masat sipas rregullores së futbollit, për ato çka ndodhën në këtë ndeshje, pikëpyetjet janë të mëdha.
Burime nga Federata e Futbollit bëjnë të ditur se ky është rasti i parë kur tifozët akuzojnë se janë dhunuar në shkallët e stadiumit nga policia. Shefi i Sektorit të Garave në Federatën e Futbollit, Lysien Nurishmi pranoi dy ditë më parë se uniformat blu shfaqën mungesë organizmi.
Në zyrat e FSHF -së flitet se Partizani mund të dënohet të luajnë pa tifozë nga 5 deri në 10 javë, por tifozët e kuq edhe mund të shpëtojnë ose dënimi të jetë më i ulët nëse provohet se nuk ishin ata që nxitën dhunën.
Klubi Partizani ka dorëzuar edhe një video në Federatë, me anë të së cilës tregon momentet kur ndaj grupimit Ultras Guerilas, policia hodhi peperspray, e më pas i goditi me shkopinj gome. Aty duken forcat e policisë të pajisura me skafandra që janë futur në sektorin e tifozëve.
Tv Klan