Vrasja e 14-vjeçarit shumë pak metër nga shkolla ‘Fan Noli” ka shkaktuar debate edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Opozita nuk ka lejuar fjalën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e adoleshentit.

Opozita braktisi sallën e Këshillit Bashkiak, ndërsa vetëm me votat e socialistëve u miratuan disa vendime. Një prej tyre është vendimi që u siguron pensionistëve udhëtim falas me autobus në Tiranë që nga 1 Janari 2025.

Kryebashkiaku Veliaj kritikoi opozitën, që sipas tij flet për pensionistët dhe nuk votoi një nga vendimet në mbështetje të kësaj shtrese.

Abonimet do të financohen plotësisht nga Bashkia e Tiranës dhe do të jenë të disponueshme pensionistët mbi 60 vjeç për gratë dhe mbi 65 vjeç për burrat. Numri i pensionistëve brenda territorit të Bashkisë së Tiranës që përfitojnë është rreth 178 mijë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe disa vendime të tjera që kanë të bëjnë me mbështetjen e familjeve në nevojë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Klan News