Presidenti i Republikës Ilir Meta, i shoqëruar nga fëmijët e tij Bora, Besari dhe Era, ishte sot në mesditë në Bashkësinë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” për t’i uruar Krishtlindjet Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë shqiptarë.

Më pas Presidenti i Republikës vizitoi Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Presidenti Meta u përcolli personalisht urimet më të mira e të përzemërta besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve.

I pyetur nga gazetarët lidhur me arsyet përse vendosi pikërisht tani t’i japë nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit, kreu i shtetit u përgjigj njësoj si Janullatos, duke cituar vjetërsinë e verës.

“Përgjigjen më të mirë e ka dhënë Fortlumturia e Tij: Është si puna e verës. Mendoj se është një moment shumë pozitiv i shprehjes së mirënjohjes për këtë vepër të madhe që ai ka krijuar me lidershipin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm për njëzet e pesë vite duke ringritur nga hiri Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Mjafton të shohim Katedralen përballë, e cila vite më parë nuk ekzistonte apo kishat kudo në të gjithë vendin që ishin të shkatërruara dhe ajo që është shumë e rëndësishme do të thoja, investimi, frymëzimi dhe edukimi i tij për të krijuar një plejadë tashmë të shkëlqyer të klerikëve shqiptarë të Kishës Ortodokse, të cilët kanë arritur në këto nivele kaq të larta padyshim falë lidershipit të tij.

Dhe njëkohësisht duhet të theksoj se lidershipi i tij në krye të kësaj Kishe ka qenë një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për t’u afirmuar në të gjithë botën e ortodoksisë, por ka qenë edhe një mundësi shumë e mirë për të promovuar edhe Shqipërinë si një vend evropian, si një vend me vlera, por mbi të gjitha si një vend i bashkëjetesës shqiptare, të tolerancës e të dashurisë, dhe Fortlumturia e Tij gjithnjë ka predikuar jo vetëm për besimtarët ortodoksë, për për të gjithë shqiptarët paqe, dashuri dhe mirëkuptim”,

u shpreh Presidenti i Republikës.

/tvklan.al