Ylli i filmave, Florence Pugh ka rrëfyer se një diagnozë e papritur e shtyu të ngrinte vezët në moshën 27-vjeçare.
Aktorja është diagnostikuar me sindromën e vezores policistike (PCOS) dhe endometriozë, të cilat janë sëmundje që lidhen me pjellorinë.
“Isha pak e shqetësuar verën e shkuar dhe doja të shkoja e të bëja një kontroll dhe më pas mësuam diçka që s’do ta kisha ditur deri kur të vendosja të bëja fëmijë në pesë vitet e ardhshme”.
28-vjeçarja tha se takimin e parë me specialistët e caktoi pasi kishte parë “disa ëndrra të çuditshme”. Ajo kujtoi se sa ishte shtangur kur e pyetën nëse kishte kryer ndonjëherë numërim të vezëve. Më pas u diagnostikua me PCOS dhe endometriozë.
“Është shumë e çuditshme sepse familja ime është makineri fëmijësh. Nëna ime lindi kur ishte 40 vjeçe, gjyshja… kishte gjithashtu shumë fëmijë. Kurrë s’e mendova që do të isha ndryshe dhe do të kisha ndonjë problem apo që të më duhej ta mendoja përpara se të më nevojitej. Më pas në moshën 27-vjeçare mora vesh diçka tërësisht ndryshe që do të më duhej të nxirrja vezët dhe shpejt, çka ishte pështjelluese dhe jam shumë me fat që e mësova kur duhej sepse kam dashur fëmijë që kur isha e vogël”.
Endometrioza është një problem shëndetësor i shpeshtë dhe i dhimbshëm pasi indet e mitrës rriten jashtë saj. Shenjat e PCOS mund të jenë ndryshime në ciklin menstrual, ndryshime në lëkurë, shtim të qimeve të trupit dhe akneve, rritje anormale të vezores dhe infertilitet.
Pugh tha se shpreson që me rrëfimin e saj të rritet ndërgjegjësimi.
“Ndihem e zhgënjyer nga mos të folurit rreth kësaj. Ndihem e zhgënjyer për të gjitha gratë e reja që do ta mësojnë shumë vonë dhe kur të nisin të kenë fëmijë në të 30-at, pas 10 viteve të bukura pune. Ndihem sikur është një bisedë shumë e thjeshtë që duhet ta bëjmë përpara se të përjetojmë ciklin menstrual apo fillimin e aktivitetit seksual. Nuk duhet të nevojitet kaq shumë kohë që dikush të mësojë për këtë diagnozë që s’ia kanë idenë se çfarë është”./tvklan.al