Ngrohja e Mesdheut ka dëmtuar midhjet. Ky është shqetësimi që vjen nga Greqia, nga fermerët që merren me rritjen e tyre.

“Ne shohim që dëmi që kemi pësuar është 100%, si për prodhimin që ishte gati për t’u transportuar për vitin 2024, përveç sasisë së vogël që arritëm të eksportonim. Por kryesisht shohim shkatërrimin që do të pësojmë në vitin 2025, që është kolosal për vitin e ardhshëm”, thotë një nga fermerët e midhjeve.

Fermerët thonë se parametrat e ujit nuk janë të përshtatshëm për kultivimin dhe rritjen e midhjeve. Për ta dëmi është kolosal.

“Me ardhjen e vitit të ri ne nuk e dimë si do të sigurojmë jetesën, sepse profesioni kryesor dhe i vetëm që kemi është midhjet dhe deti. Nuk kemi asnjë burim tjetër të ardhurash”.

Ashtu si vendet e tjera të Mesdheut, Greqia është veçanërisht e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike, të cilat këtë vit çuan në muaj me temperatura mbi mesataren, duke shkaktuar thatësirë dhe shumë zjarre.

Një seri valësh të të nxehtit goditën Greqinë në Korrik. Temperatura të ngrohta kishte edhe në det aty ku për midhjet temperatura të tilla janë shkatërruese pasi ato nuk mund të mbijetojnë dot.

“Për shkak të rritjes së temperaturave të detit, të cilat kaluan 30°C për më shumë se një muaj, pati ngordhje masive të midhjeve”.

Kostas Koukaras, një biolog që studion ekosistemet detare thotë se kriza klimatike është një çështje shumë serioze.

“Kjo ndodhi për herë të dytë në më pak se pesë vjet. Hera e parë ishte në vitin 2021, kur parashikimet tona në atë kohë thanë se ky fenomen nuk do të përsëritej në më pak se dhjetë vjet. Kjo ndodhi në më pak se pesë vjet. Kjo dëshmon edhe për më skeptikët se kriza klimatike është këtu”.

Për rreth 100 familjet e fermerëve të midhjeve në qytetin e vogël të Zakalkase ardhmja duket e zymtë. Ata po kërkojnë kompensim nga shteti për të shlyer borxhet ndërsa të tjerët po kërkojnë punë në fabrika.

“Kemi shumë frikë. Nëse do të ndodhë përsëri vitin e ardhshëm, të gjithë do të largohemi nga zona dhe gjithçka që kam bërë gjatë tridhjetë viteve të fundit, si fermer, do të humbasë”.

Prodhimi i akuakulturës në Greqi ishte me vlerë mbi 619 milionë Euro në vitin 2021, i treti në Evropë pas Francës dhe Spanjës.

Shteti fqinj është ndër prodhuesit kryesorë të midhjeve në Evropë dhe eksporton pothuajse të gjitha 20,000 tonët që kultivohen çdo vit nga bizneset e vogla familjare.

Klan News