Pas javësh të tëra luftimesh të ashpra, banoret e lindjes së Aleppos janë detyruar të braktisin shtëpitë.
Rreth 5 mijë civilët e fundit të mbetur në dy nga fshatrat e kryeqendrës së dikurshme Siriane, kanë nisur evakuimin drejt zonës që kontrollohet nga rebelet, jashtë qytetit.
Zyrtarët e kryqit të kuq thanë se pritet të evakuohen 2 mijë persona deri në fund të ditës së enjte, dyfish nga sa u mendua fillimisht.
Edhe autokolonat e kryqit të kuq përfunduan mes plumbash, pasi u sulmuan nga milicite filo –iraniane. Pas dështimit të armëpushimit të një dite më parë, një telefonatë mes Presidentit rus dhe atij turk mbajti në këmbë mundësinë e fundit që mijëra civile të largoheshin. Kjo është ajo që lanë pas.
Aleppo ishte për shumë vite një nga fushëbetejat më të ashpra të luftës civile në Siri. Luftimet nga fraksione të ndryshme rebelësh dhe terroristesh, përfshirë edhe trupat e ushtrisë siriane, kanë kthyer në rrënoja disa nga veprat më me shumë vlera historike dhe kulturore të botës.
Përmes një video-mesazhi presidenti sirian Bashar Al Assad e cilësoi çlirimin e Aleppos si një pikë kthese në historinë botërore. Njerëzit nuk kujtojnë kohën, por historinë, ne themi para dhe pas Krishtit, tashmë do të flasim për para dhe pas çlirimit të Aleppos, tha Assad.
Ditët e fundit në internet kanë qarkulluar disa video rrënqethëse, dëshmi personale nga të ngujuarit në zonën e luftës. Një ndër to është kjo video nga disa jetimë në Aleppo. Të vegjlit bëjnë thirrje për ndihmë.
Lufta civile duket në fazën e fundit. Banoret në ikje lanë nëpër mure shënime të tilla, si: Ne do të rikthehemi.
Tv Klan