Pas më shumë se një viti hetime, ka nisur gjyqi në Greqi ndaj shqiptarit Aleksandër Luca dhe shokut të tij grek Manolis Koukouras.
Dy të rinjtë akuzohen për vrasjen dhe përdhunimin e studentes Eleni Topaloudi, ngjarje e ndodhur në ishullin Rodos në Greqi Nëntorin e vitit 2018.
Në seancën e parë gjyqësore, nëna e studentes 21-vjeçare ka shpërthyer në akuza dhe sulme ndaj dy djemve të akuzuar për krimin monstruoz.
Ata mohuan akuzat në seancën paraprake gjyqësore. 23-vjeçari Manolis Koukouras kundërshtoi akuzën e përdhunimit, duke thënë se kishte kryer marrëdhënie me studenten me dëshirën e kësaj të fundit. Ai gjithashtu nuk pranoi as akuzën e vrasjes, por tha se ishte vetëm pjesëmarrës. Ndërsa shqiptari Aleksandër Luca 21 vjeç hodhi poshtë të dy akuzat.
Babai i studentes së ndjerë ishte i pari që dëshmoi, dhe tha se në bankën e të akuzuarve duhet të jenë edhe prindërit e dy të rinjve, pasi nuk kishin vepruar kur djemtë e tyre kishin shfaqur sjellje agresive në raste të mëparshme.
Edhe mamaja e studentes 21-vjeçare akuzoi prindërit e dy të rinjve, sidomos të 23-vjeçarit grek. “Unë besoj se ai kërkoi ndihmën e babait. Prindërit e grekut kanë para dhe menduan se do ta shpëtonin”, tha ajo.
Zonja pretendoi gjithashtu se gjyshja e Manolis Koukouras mund të ketë ndihmuar nipin për të mbuluar ngjarjen. Ndërsa për shqiptarin tha se kishte organizuar gjithçka me shokun e tij grek për të përdhunuar studenten.
Në përfundim të seancës gjyqësore, mamaja e studentes u transportua në spital pasi nuk ishte ndjerë mirë për shkak të emocioneve të forta pas përballjes me dy të akuzuarit për vrasjen e vajzës së saj.
Eleni Topaloudi u përdhunua dhe u vra më 28 Nëntor 2018 në ishullin e Rodos. Trupi i 21-vjeçares ishte lidhur me litar dhe ishte hedhur në det. /tvklan.al