Aleksandër Luca 20 vjeç dhe shoku i tij grek Manolis Koukouras 22 vjeç, të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e studentes Eleni Topaloudi, kanë shfaqur pretendimin se vuajnë nga probleme psikologjike.

Mediat greke shkruajnë se përpara krimit të rëndë që ndodhi më 28 Nëntor 2018, dy të akuzuarit thonë se kishin vizituar një psikiatër në ishullin Rodos, i cili u kishte dhënë disa ilaçe.

Autoritetet greke, duke dyshuar se kjo është një lëvizje e tyre për të zbutur dënimin me burg, verifikuan këto deklarata. Një ekspert zbuloi se njëri prej dy të rinjve kishte gënjyer, pasi verifikoi sistemin e recetave të lëshuara.

Shtypi grek nuk ka bërë të ditur se cili prej tyre ka gënjyer, por në deklaratat që ata kanë dhënë, të dy pretendojnë se kanë shfaqur probleme psikologjike që në fëmijëri, atë të agresionit intensiv dhe përdorimin e drogërave gjatë adoleshencës, gjë që sipas tyre çoi në çrregullime psikologjike.

Babai i studentes së vrarë, duke folur për televizionin grek Ant1, u shpreh se dy të rinjtë do të tentojnë që të lehtësojnë sa më shumë situatën për akuzat ndaj tyre. /tvklan.al