Me tensione është shoqëruar seanca e radhës gjyqësore në Greqi ndaj dy të rinjve të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e studentes 21-vjeçare Eleni Topaloudi, ngjarje e ndodhur në Nëntor të vitit 2018.
Pretendimi në gjyq i shqiptarit Aleksandër Luca, që tha se kishte rënë në dashuri me Eleni, revoltoi babain e studentes së ndjerë.
“Atëherë përse ja vendose thikën në fyt, bastard, kopil”, shpërtheu i ati i të ndjerës.
Drejtuesi i seancës i kërkoi babait të Eleni Topaloudit që të dilte nga salla dhe të rivendosej qetësia. Pas largimit të tij, 21-vjeçari shqiptar u dëgjua të shprehej: “Dua të futem 10 metra nën tokë kur dëgjoj këtë njeri të flasë prapa meje, nuk e pranoj bashkëpunimin në vrasje”.
Aleksandër Luca e ka mohuar vazhdimisht vrasjen e studentes, ndërsa ka pranuar se ka qenë i pranishëm. Edhe bashkëpunëtori i tij grek Manolis Koukouras mohon akuzat për përdhunim dhe vrasje të studentes, madje pretendon se kishte tentuar ta shpëtonte 21-vjeçaren.
Eleni Topaloudi u përdhunua dhe u vra më 28 Nëntor 2018 në ishullin e Rodos. Trupi i 21-vjeçares ishte lidhur me litar dhe ishte hedhur në det nga dy të rinjtë.
Seanca e radhës gjyqësore do të jetë më 10 Mars. /tvklan.al