Sesioni i fundit parlamentar i legjislaturës së 10 nisi njësoj si sesionet e mëparshme, me akuzat e opozitës për shumicën dhe me bilancet pozitive që socialistët pretendojnë se kanë arritur në qeverisje, por dhe në parlament.
Votën e emigrantëve socialistët e vlerësojnë si një realitet që erdhi falë vullnetit të tyre, siç janë dhe amendimet më të fundit të dakortësuara që do të votohen shumë shpejt nga parlamenti.
Ndërsa demokratët kujtojnë se ishte Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj që po u jep mundësi shqiptarëve të diasporës të votojnë, e akuzojnë shumicën se nuk tregoi vullnet për të përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR në Kodin Zgjedhor.
Ndërsa kryeparlamentarja mendon se parlamenti i ri duhet t’u mundësojë shqiptarëve të diasporës dhe mekanizma për të kontrolluar qeverinë, për të cilat do të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Nisjen e sesionit të ri parlamentar e përshëndeti dhe Presidenti i Republikës përmes një letre të adresuar për deputetët, por demokratet kërkuan nga kreu i shtetit të vinte personalisht dhe të jepte përgjigje për akuzat e tyre, për përfshirjen e ambasadorëve në aktivitete politike dhe elektorale.
Tv Klan