Në javën e parë të nisjes së procesit të regjistrimit të shqiptarëve të diasporës që do të ushtrojnë të drejtën e votës në 11 maj numri i refuzimeve ka qenë i lartë. Nga më shumë se 42 mijë aplikime mbi 18 mijë janë të regjistruar dhe afro 10 mijë e 500 aplikime janë refuzuar ndërsa pjesa tjetër pret ende të shqyrtohet.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pohon në një konferencë për shtyp se gabimi më i madh që bëjnë aplikuesit që u refuzohet më pas kërkesa, lidhet me adresën e tyre. Refuzimet më të mëdha rezultojnë të jenë nga shqiptarët që jetojnë në Itali që përbëjnë dhe numrin më të lartë të aplikuesve.
Ndërkohë sa i takon votimit elektronik partitë politike ende nuk kanë gjetur dakortësinë për zonën ku do të aplikohet teknologjia, ndaj komisioneri thotë se në këto kushte do të përzgjidhet nga KQZ një zonë ku do të pilotohet ashtu si në zgjedhjet e 2021 dhe 2023.
Tv Klan