Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, moderatorja e njohur Alketa Vejsiu dha më shumë detaje për edicionin e 5-të të “X Factor Albania”.
Ajo theksoi se spektakli u rikthye fiks në momentin kur vendit i duhej një format i tillë për të promovuar talentet e reja. Teksa ndau risitë, nuk kurseu simpatinë e saj për anëtarët e jurisë të cilët i sheh si një “super formacion”.
-Zgjedhjen e jurisë kush ndikoi më shumë?
Alketa Vejsiu: Bashkë me Verën i vendosëm. Ne të gjitha vendimet bashkë i marrim kështu që..Nisa unë me idenë e Adi Krastës pasi thashë do jetë një rikthim i mirë i Adit në një format ku ai ka qenë i pari drejtues dhe bashkëproducent. Kam qenë fanse e tij, e kam patur model për mënyrën si prezantonte.
-Kemi Elhaidën, Young Zerkën, Arilenën…
Alketa: Formacion shumë i mirë edhe në përmbajtje. Zerka na ka befasuar se është dhe popullor dhe i thjeshtë. Ka qenë shumë mirë në profilin e anëtarit të jurisë. Arilena, shumë bukur që është aty sepse është një nga sukseset e “X Factor”, është si të thuash imazhi, e ka vulën e “X-it” me vete me shumë arritje e suksese. Ndërkohë që Elhaida ka arritjet e saj, fituese e shumë festivaleve.
“Do jetë një juri objektive mendoj sepse ka në dorë talentin e këtyre të rinjve”, theksoi Vejsiu.
Shumë konkurrentë e ditë përgatitje, po çmimi?
Alketa Vejsiu: Ai ka fituar fizibilitetin që e ka në karrierën e vet, kështu që nuk është pak. Ke bërë një gjysmë rruge drejt suksesit të vërtetë, ke bërë një shkollë e ke prekur dhe ti do gjithmonë për më lart e për më shumë dhe për këtë përpiqesh. Në “X Factor” ti ke seritë e jetës tënde dhe ke mundësinë të kesh disa performanca artistike në portofolin tënd dhe t’i përdorësh ato pastaj./tvklan.al