“Prej gati 60 vitesh, Institucioni Kryesor i Memories Kombëtare ndodhet në godinën e Pallatit të Kulturës. Biblioteka Kombëtare, e ndodhur prej vitesh në një situatë të vështirë, siç është ajo e mungesës së hapësirave… vetëm tani merr dritën jeshile hapja e garës për zhvillimin e projektit për këtë institucion të rëndësishëm”, raporton gazetarja Anisa Krraba.
Godina e re e Bibliotekës Kombëtare do të ndërtohet pranë Gardës, aty ku po punohet edhe për ngritjen e Tetarit të Ri të Kukullave.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit: Ky projekt realizohet përmes një modeli inovativ partneriteti publik-privat, ku Korporata e Investimeve Shqiptare do të luajë rolin e ndërmjetësuesit midis institucioneve publike dhe private, si dhe zhvilluesit. Institucioni publik përfiton një bibliotekë të re bashkëkohore, ndërsa partnerët privatë sjellin burimet financiare, njerëzore dhe teknike për realizimin e projektit. Kjo do të bëjë të mundur ndërtimin e bibliotekës pa asnjë kosto financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
“Ishte një domosdoshmëri, këtu është një pasuri kombëtare, të pakrahasueshme me asgjë tjetër ndoshta që kemi, do të ecet shumë shpejt përpara. Funksionet që përcaktohet në projekt janë ato të duhurat”, shprehet drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.
“Problemi i hapësirave është një problem i kahershëm për të cilin është premtuar prej vitesh që do të gjejë zgjidhje, dhe vetëm tani hapet gara që do të zgjasë deri më 10 Shkurt të këtij viti”, raporton Krraba.
Por çfarë do të bëhet me godinën ekzistuese? Për Tv Klan, Ministria e Kulturës, sqaron se prona nuk do të tjetërsohet.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit: Projekti për ndërtimin e Godinës së Re të Bibliotekës Kombëtare nuk do të zhbëjë, prishë apo ndryshojë godinën aktuale të Bibliotekës Kombëtare. Godina e re e Bibliotekës Kombëtare do të jetë vlerë dhe sipërfaqe e shtuar në fuksionalitet e shërbim të Bibliotekës ekzistuese.
“Është pjesë e një trashëgimie kulturore dhe mendoj se duhet të mbetet”, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha.
Përzgjedhja e projektit të Bibliotekës Kombëtare do të kalojë në dy faza, ndërsa godina do të zërë sipërfaqe prej 20.000 m2, ku pjesë e godinës do të jetë edhe një bibliotekë qyteti. Biblioteka e re do të ofrojë ambiente më të medha për lexim, me kushte më të mira për arkivin e institucionit. Projekti parashikon edhe inetgrimin me teknologjitë me të avancuara për digjitalizmin e fondit.
Tv Klan