I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale Richard Grenell, ka shpërndarë në një postim në Twitter një video nga protestat e studentëve në Serbi, me komentin se është e rëndësishme që të dëgjohen zëra të ndryshëm, por se “nuk ka mbështetje për ata të cilët minojnë shtetin e së drejtës dhe pushtojnë me forcë institucionet shtetërore”.

“Është gjithmonë e rëndësishme të jesh në gjendje të ngresh zërin dhe të dëgjohesh”. Por të gjithë duhet të dënojnë dhunën dhe t’i përmbahen demonstratave paqësore. Procesi demokratik duhet të respektohet. Ne nuk mbështesim ata që cenojnë shtetin e së drejtës dhe pushtojnë me dhunë godinat e institucioneve shtetërore”, shkruan Richard Grenell.

Ky është reagimi i parë i dëgjuar nga administrata e re amerikane për protestat në Serbi që po vazhdojnë prej javësh, për shkak të vdekjes së 15 personave gjatë prishjes së tendës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët, të cilët prej javësh kanë bllokuar fakultetet, kërkojnë plotësimin e kërkesave te tyre.

Richard Grenell u emërua i dërguari i misionit special në mandatin e dytë të Trump. Në mandatin e tij të parë, ai shërbeu si drejtor i Agjencive Kombëtare të Inteligjencës, ai ishte gjithashtu ambasador në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Grenell mori Urdhrin e flamurit serb të shkallës së parë për “shërbime të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”.

Klan News