Shteti i Bahrenit mund të mos jetë i vetmi që pritet ta njohë Kosovën në një të ardhme të afërt. Shefi i diplomacisë kosovare Skënder Hyseni, paralajmëron nga Nju Jorku se edhe Uganda, Gambia, Haiti dhe Shën Lucia pritet ta ndjekin shembullin e njëjtë me Bahrenin që të mërkurën dha sinjale pozitive për njohjen e Kosovës.
Këto paralajmërime krijojnë përshtypjen se politika e jashtme e vendit tonë që udhëhiqet nga Hyseni është dinamizuar. Kështu nuk mendojnë përfaqësuesit e klubit për politikë të jashtme. Drejtori ekzekutiv i këtij klubi Yll Hoxha, tha se paraqitja dinjitoze e Hysent e ka zgjuar dinjitetin e qytetarëve, po nuk do të ndikojë në dinamikën e njohjeve.
Yll Hoxha: “Një paraqitje dinjitoze apo një ballafaqim faktesh me kryetarin e Serbisë nuk ndërron gjë në vendimmarrjen e shteteve të cilat pak a shuam dinë pak për Kosovën ose aspak.”
Sipas Hoxhës është nevojë eminente që të ketë lobime të vendeve që nuk dinë shumë për Kosovën në bashkëpunim me vendet sponsore të pavarësisë së saj.”
Yll Hoxha: “Shpresojmë që kjo dinamikë, bukur e ngadaltë të shpejtohet në muajt që vjen dhe paralajmërimet të cilat na janë dhënë qysh në janar të këtij viti të dalin reale.”
Sidoqoftë gjatë qëndrimit në Nju Jork Hyseni, takoj edhe ambasador të vendeve të tjera që nuk i dhanë shpresa të mëdha për njohje. Ndër ta janë edhe përfaqësuesit e Ekuadorit dhe Guatamalos. Sipas ministrit, këto vende po studiojnë me kujdes zhvillimin në Kosovë dhe po punojnë me vende të tjera latino-amerikane për të arritur deri në një vendim për njohje./tvklan.al