Vatrat e zjarrit që pushtuan zonën e Orikumit në Vlorë dhe zonën e bregdetit të Fierit në Seman, janë nën kontroll. Drejtori i emergjencave civile Alfred Olli deklaroi se në zonën e Darëzezës ka ende disa vatra të aktivizuara zjarri. Por forcat e shërbimit zjarrfikësve janë duke punuar.

Alfred Olli: “Dje është operuar nga forcat e shërbimit zjarrfikës, nga forcat e policisë së shtetit. Kemi angazhuar gjithashtu dhe forcat e shtabit të përgjithshëm në qarkun e Vlorës, kryesisht në bashkinë e Orikumit. Pasdite kemi përdorur edhe dy helikopter të shërbimit grek me të cilët kemi një marrëveshje bilaterale. Sot do t’iu thoja që në grykëderdhjen e Semanit po operon një krater italian i sjellë sot në mëngjes nga pala italiane me të cilët dhe ata kemi një marrëveshje bilaterale.”

Ai sqaroi se vonesat në dërgimin e zjarrfikësve në zonën e zjarrit në Seman kanë qenë për shkak të largësisë.

Alfred Olli: “Largësia e pyllit nga stacioni i zjarrfikëses është shumë e konsiderueshme. Kodi penal përcakton qartë dënimin nga gjoba deri në 5 vjet për ata njerëz që vejnë zjarrvënie të qëllimshme dhe jam plotësisht i bindur dhe këtë them e përgjegjësi që dje në zonën e Semanit ka pasur zjarrvënie të qëllimshme.”

Ndërkaq policia ka arrestuar 4 shtetasit Qerim Çeloaliaj dhe Jorgo Gjikoka në Vlorë, Fiqiret Murrizi dhe Dina Abazaj në Fier për zjarrvënie të qëllimshme. Këta shtetas sipas policisë rrezikojnë deri në 10 vjet burg./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama