“Nënat e dinin se fëmijët ishin të dënuar me vdekje”, shprehet gazetarja Admirina Peçi për gratë që detyroheshin të shkonin në kampet e internimit shtatzënë apo me të vegjlit në krahë. Mbijetesa ishte e vështirë për shkak të mungesës së ushqimit, por edhe të ujit.
Gazetarja tregon për “Shije Shtëpie” në Tv Klan se përpara se t’i zhvendosnin në kampin e Tepelenës, i lanë fillimisht në Turan. Sëmundja e tifos mori një pjesë të fëmijëve që në frymën e fundit kërkonin ujë e nënat s’kishin mundësi as t’u ofronin një pikë.
Admirina Peçi: Një nënë që ka ikur shtatzënë në kamp me një fëmijë të porsalindur apo me fëmijë të vegjël 1 vjeç, këto nëna e dinin dhe e shihnin përditë aty se fëmijët e tyre ishin të dënuar me vdekje. Kur ranë sëmundjet në kampin e Turanit sepse është një periudhë para se të zbrisnin poshtë në Tepelenë për një pjesë të të burgosurve, një nga këto nëna thotë që i vdiq fëmija nga të pangrënët, nga uria dhe thotë “nuk kisha t’i jepja asgjë për të ngrënë dhe në ethet që mori nga tifoja atje kërkonte ujë dhe nuk kisha as ujë afër” sepse në Turan s’kishte ujë dhe uji shkonte me bote njëherë në sa kur i çonin ata dhe ndodhte shpresh që ata nuk kishin as ujë t’u jepnin fëmijëve që ishin në grahmat e fundit. Kjo zonjë, Gjelë Gjikolaj i vdiq vajza dhe më vonë edhe e kunatës së vet dhe i varrosën atje në Turan dhe si u mbyll kampi i Turanit për pak muaj, i zbritën në Tepelenë, varret e tyre mbetën atje. Këto nëna përveç kësaj drame, tragjedie që kishte ndodhur dhe kishin përjetuar, kishin edhe ankthin a do ta gjenin vallë kur ata një ditë nëse do të arrinin dot lirinë të merrnin eshtrat e fëmijëve të vegjël./tvklan.al