Dega e financave në SHBA e ka ndihmuar Greqinë të kamuflojë për vite me radhë problemet masive me borxhet.
Skandali publikohet nga gazeta New York Times, sipas së cilës taktikat financiare të Ëall Street, të ngjashme me ato që shkaktuar krizën financiare botërore, ndihmuan Greqinë të fshehë borxhin real përpara monitoruesve evropiane.
Gazeta shkruan se amerikanët, nëpërmjet Goldman Saks gënjyen Bashkimin Evropian se Greqia nuk do tejkalonte kufirin e deficitit buxhetor prej 3%.
Kjo bankë në vitin 2003, kohë në të cilën Greqia hyri në zonën euro i dha Athinës disa miliardë dollarë borxhe.
Në atë kohë, biznesi u deklarua si blerje valute dhe jo kredi, ndaj nuk mund të përfshihej në rritjen e deficitit buxhetor.
Në muajin Nëntor, shkruan gazeta, pak muaj përpara se Athina të kthehej në makthin financiar të Evropës, ekspertët e Goldman Saks i dorëzuan qeverisë greke një propozim mbi mënyrën se si mund të shlyheshin faturat marramendëse, duke shtuar në të njëjtën kohë listën dhe sasinë e borxheve.
Thënë ndryshe u propozua një mjet financiar që fshinte borxhin e sektorit të shëndetësisë nga buxheti i shtetit, i ngjashëm me rastin kur një kredimarrës merr një kredi të dytë, për të shlyer një kredi të mëparshme.
New York Times shkruan se kjo krizë që ka përfshirë Greqinë ka vënë në dyshim ekzistencën e euros, pasi Athina mbart në shpinë një borxh 300 miliardë dollarësh, dhe kjo mund të shkatërrojë BE-në e të trondisë mbarë botën.
Për ekspertët e Fondit Monetar ka shumë pak rregulla mbi mënyrat se sa para borxh mund të marrë një qeveri, pasi ky treg në Wall Street është pothuajse i pafundmë. Sipas tyre, për një qeveri është shumë e thjeshtë të mashtrojë investitorët në këtë mënyrë./tvklan.al