Ministria e Punëve Publike ka akuzuar Bashkinë e Tiranës për mashtrim me dokumentacionin e paraqitur në lidhje me procesin e truallit mes kryqëzimit të rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës.

Ministri Olldashi, ka paraqitur dokumente, që sipas rrezojnë pretendimet e bashkisë dhe vërtetojnë se ajo është pronë publike. 

Sokol Olldashi: “Kjo është një shkresë e firmosur nga administratori i përgjithshëm i Bashkisë Tiranës, zoti Dritan Agolli, me datën 1 prill 2009, drejtuar zotit Patriot Çobaj, drejtor i zyrës të organit kthimit dhe kompensimit të pronave të qarkut Tiranë. Nga verifikimi që u kryen me hartat treguese të pasurisë dhe … rezulton se brenda konturit të pronës së këtij subjekti bëhet fjalë për familjen Kika. Figuron pronë shtetërore publike trotuar dhe rrugë, trotuar dhe lulishte, dhoma e tregtisë në datë 17 korrik 2009, zyra e avokaturës së shtetit, zyra e Tiranës i kërkon bashkisë Tiranës t’i japi autorizimin për të proceduar për goditjen administrative të vendimit të komisionit të kthimit të pronave që njeh si pronar familjen Kika në truall shtetëror dhe bashkia në mënyrë korrekte i është përgjigjur kësaj shkrese. Këtë radhë me firmë të kryetarit të saj zotit Rama. Shkresa mban datën 29 korrik 2009 dhe thuhet “Bashkia e Tiranës me shkresën e datës 1 prill i drejtuar zyrës Rajonale të Kthimit dhe kompensimit të pronave në lidhje me pronën e subjektit Osman Kika, trashëgimtarëve të tij. Ka shprehur vullnetin e saj për mos procedim me kthim fizik”.

Sipas Olldashin këmbëngulja e Ramës për të mbrojtur variantin se ajo është pronë private, fsheh pas interesa personale të tij.

Sokol Olldashi: “Të 3 dokumentet vërtetojnë vetëm një gjë, që zoti Rama dhe e gjithë bashkia e Tiranës janë qartësisht në dijeni të faktit që ajo është një pronë publike e cila është shkelur në mënyrë të pa rregullt. Se cilat janë shkaqet që e detyrojnë Edi Ramën, Bashkinë e Tiranës dhe deputetët e PS të qarkut Tiranë të dalin dhe të gënjejnë në mënyrën më të pahijshme. Kjo është lehtësisht e marrur me mend. Nuk ka asnjë gjë tjetër që do e detyronte një korpus zyrtarësh dhe politikanësh të dilnin dhe të gënjenin publikisht përpara të gjithëve përveçse interesat më të pista që janë të lidhura me këtë truall dhe që janë afër zyrës së kryetarit të Bashkisë Tiranës Edi Rama”.

Debati në lidhje me këtë truall nisi pas kthimit të saj në lulishte, nga Ministria e Punëve Publike. Ndërsa qeveria kërkoi nxjerrjen e saj në ankand dhe paratë e përfituara do të përdoren si fond për kompensimin e ish-pronareve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka