Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, deklaroi në emision Opinion të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan se qeveria do i bllokoi punimet në sheshin “Skënderbej” nëse bashkia e Tiranës do të vazhdojë t’i kryejë ato në mënyrë të paligjshme.
Sokol Olldashi: “Në qoftë se zoti Rama mendon që do të vazhdojë në mënyrë të paligjshme ndërtimin e sheshit ne nuk do ta lejojmë. Në qoftë se doni ta përkthej fjalë për fjalë. Ne nuk do ta lejojmë do të thotë ne do ta bllokojmë. Në qoftë se ai do të vazhdojë të shkeli ligjin absolutisht do ta bllokojmë.”
Ministri Olldashi tha se dikasteri që ai drejton ka pasur një korrespondencë të rregullt me bashkinë e Tiranës përmes të cilës i ka kërkuar të respektojë ligjet për punimet ne shesh.
Sokol Olldashi: “Oferta që ne kemi bërë është kthjelltësish teknike. I kemi thënë ta sistemojmë sheshin sa për të hequr belanë e tanishme, bëj projektin, miratoje sipas procedurës dhe kryeje. Në qoftë se kjo nuk do të ndodhi do të bllokohet.”
Olldashi shtoi se Rama ka vetëm një mënyrë që të vijojë punimet atë të respektimit të anës ligjore.
Ai solli si argument edhe sqarimet e bëra këto ditë nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Mjedisit për mungesë të dokumentacionit në kryerjen e punimeve në sheshin Skënderbej./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi