Drejtoria kundër Krimit të Organizuar ka goditur një hallkë të rëndësishme të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike, duke bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavisë 4 kilogram heroinë dhe duke i vënë prangat transportuesit të saj në operacionin e koduar “Taksisti”.
Laura Totraku: “U organizua dhe finalizua me sukses operacioni i koduar, “Taksisti”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasit Blenard Afrim Grembi, vjeç 27, nga fshati Zharrëz i rrethit Fierit me profesion taksist. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi ditën e djeshme rreth orës 9:15 tek pika e kalimit kufitar Kakavijë-Gjirokastër. Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 4 kilogram e 145 gram.”
Policia sekuestroi edhe autoveturën, një Mercedes me targa të Fierit, shumën e parave prej 500 eurosh dhe tre aparate celulare.
Blenard Afrimi dyshohet se është transportuesi i drogës dhe vetëm një prej hallkave të një rrjeti të mirëorganizuar të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndaj policia po heton për zbulimin e fijeve të tjera të tij në Shqipëri e Greqi.
Kjo është goditja e dytë që i bëhet brenda pak ditësh trafikut të drogës drejt vendit fqinj, pasi pak ditë më parë në Kapshticë u sekuestrua 1 kilogram kokainë, të cilën e transportonte një studente e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë./tvklan.al