#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
I ftuar: Nikolin Kurti
Mbrëmjen e kësaj të marte emisioni “Opinion” fokusohet në natën e Krishtlindjeve, një prej netëve më të shenjta dhe më të bukura të besimtarëve të krishterë kudo që ata janë. Një data e cila siç ka ndodhur historikisht duhet respektuar nga të gjithë, si nga të krishterët, por njëkohësisht edhe nga myslimanët. Kjo dëshmon edhe një herë tolerancën fetare mes komuniteteve të ndryshme në vendin tonë. Besimtarë të besimeve të ndryshme i kanë festuar të gjitha festat bashkë. Në vigjilje të tyre urimet nga figura publike dhe përfaqësues të fesë kanë qenë të shumta. Megjithatë në një vend si Shqipëria e cila ka kaluar një periudhë disa vjeçare në ndikimin komunist, festa e Krishtlindjeve ka një histori të veçantë. Në një vend ku Zoti nuk ekzistonte, të krishterë dhe myslimanë u bënë bashkë për të kremtuar këtë festë të shenjtë.
Më 29 Shtator 1971 prifti shqiptar Dom Shtjefen Kurti u pushkatua me urdhër të regjimit komunist. Ai u ekzekutua për një arsye të vetme, se pagëzoi një fëmijë. Pak më shumë mbi historinë e trishtë të tij, rrëfeu nipi i Dom Shtjefen Kurtit, Nikolin Kurti. Në studion e “Opinion” ai tregon se xhaxhai i tij mbahej nën survejim nga regjimi i atëhershëm me plot 19 spiunë. Ai u arrestua ditën që shkoi të pagëzonte fshehurazi fëmijën e një besimtari katolik. Ky i fundit u dënua me burg.
Nikolin Kurti: Iu privua e drejta për të bërë bekime, pagëzime dhe u detyrua për shkak të forcës së madhe që ekzistonte në mendjen e tij, që t’i shërbente Krishtit, Kishës Katolike, të bënte edhe veprime fetare të fshehta. Një kërkesë nga një familje, familja Nishi për të pagëzuar djalin, Toninin. Ai pranoi dhe e sollën fshehtas në një shtëpi, u bë pagëzimi. Ai ka qenë i survejuar nga Sigurimi i Shtetit, dhe vetëm për të ndjekur atë ishin 19 bashkëpunëtorë.
Blendi Fevziu: 19 spiunë?! Identifikohet kush ishte personi?
Nikolin Kurti: S’ka rëndësi!
Blendi Fevziu: Po prindi i fëmijës?
Nikolin Kurti: U dënua edhe ai në gjyq.
Blendi Fevziu: Mesa di e pa fëmijëne tij vetëm pasi ai ishte rritur. E ka parë djaline tij adoleshent, ndërsa prifti u dënua me vdekje.
Nikolin Kurti: Ai sfidoi regjimin komunist të 1971-it që ishte shumë i fuqishëm sepse merrte ndihmë nga Kina.
Blendi Fevziu: Pushkatimi i tij është ndoshta lajmi më i ndërkombëtarizuar nga Shqipëria komuniste në atë kohë.
Po çfarë tha Dom Shtjefen Kurti para se të vdiste?
Nikolin Kurti: Vë duart në kokë po të lexosh pretencën..U dënua se kishte bërë sabotim. Kur të mblidhni hardhitë, mblidhini me rrënjë lart e me kokë poshtë, e kupton? Aty ku ai predikonte aty u bë gjyqi. Është procesverbali që mezi e gjeta dhe 3 fjalë të fundit. “Nuk kam shtyrë persona për të sabotuar. Rroftë Shqipëria, rroftë Kisha Katolike!” Pas kësaj u ekzekutua me pushkatim.
Ajo që është akoma më e dhimbshme është se eshtrat e priftit nuk u gjetën kurrë.
Blendi Fevziu: Kufoma e tij ishte marrë e përdorur si kadavër për eksperimente mjekësore, si kavie nga studentët e Mjekësisë.
Edhe pse sot është meshtar i shenjtë, Dom Shtjefen Kurti nuk ka një varr për t’i lënë një tufë lulesh. Mëkati i tij i vetëm ishte se bëri detyrën si prift!