Interi ka filluar të mendojë për lëvizjet që do të bëjë në merkato dhe drejtuesit kanë disa objektiva të qartë në listën e tyre.
Sipas asaj që raportojnë mediat pranë klubit zikaltër, mesfushori i Lazios, Matteo Guendouzi, është një nga dëshirat e kampionëve.
Francezi pëlqehet shumë dhe forma e tij e treguar te Lazio, nuk ka kaluar pa u vënë re. Për të mbërritur te 25-vjeçari, drejtuesit e Interi po mendojnë të fusin në marrëveshje mesfushorin shqiptar, Kristjan Asllani.
Futbollisti kuqezi është futur në sezonin e tretë te skuadra nga Milano, por vazhdon të ketë minuta të pakta në dispozicion.
Tek Interi janë të gatshëm për të ofruar një shkëmbim mes Asllanit dhe Guendouzi, një lëvizje që mund të kënaqte të dy klubet.
Asllani shpesh ka shprehur dëshirën për të qëndruar tek Interi, por minutat e pakta në dispozicion mund ta detyrojnë atë që të ndryshojë ambient.
Në tre sezone nën urdhrat e trajnerit Inzaghi, Asllani numëron vetëm 51 ndeshje të luajtura, shumë pak për një futbollist 22-vjeçar që pret të shpërthejë. /tvklan.al