Britania e Madhe nuk po shikon si opsion të ngjashëm një marrëveshje sikundër ajo me Italinë për emigrantët. Në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ambasadori britanik Nicholas Abbott tha se qeveria e Kryeministrit Starmer është duke parë për mënyra të reja lidhur me këtë çështje.

“Përgjigja është jo. Qeveria e re në Mbretërinë e Bashkuar do të shikojë për mënyra të reja novatore për t’i qasur çështjes”, thotë Nicholas Abbott.

Abbott konfirmoi edhe përparimin sa i përket transferimit të burgosurve, të cilët janë dënuar nga gjykatat britanike. Marrëveshja e nënshkruar mes dy vendeve sipas ambasadorit britanik ka mundësuar një numër të lartë rikthimesh.

Nicholas Abbott: Ne e kemi një marrëveshje për transferimin e të burgosurve.

Blendi Fevziu: Sa të burgosur janë transferuar?

Nicholas Abbott: Tani për tani kemi një objektiv prej 200.

Gjatë këtij vitit, Shqipëria u vizitua nga një numër i lartë turistësh britanikë, gjë që e konfirmoi edhe ambasadori Abbott, i cili foli për ndryshim të perceptimit të bashkëkombasve të tij për vendin tonë.

Nicholas Abbott: Mendoj se turizmi ndryshon perceptimin duke të bërë të mendosh që ky është një vend me të cilin mund të merresh me biznes, gjërat mund të kenë sukses.

Blendi Fevziu: Sa turistë britanikë vizituan Shqipërinë vitin e kaluar?

Nicholas Abbott: Mendoj se bëhet fjalë për rreth 300 mijë turistë. Dhe këta turistë vijnë vazhdimisht. Nuk është se vijnë vetëm gjatë verës.

Blendi Fevziu: Shpresoj që vitin tjetër do të kemi edhe më shumë.

Nicholas Abbott: Besoj që se shpejti do të kemi 400,000.

Flet për një listë të re nongrata nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, por thotë se edhe në rastin e ish-kryeministrit Berisha, procesi është ligjor dhe aspak politik.

Nicholas Abbott: Këto janë procese ligjore, nuk janë gjëra që politizohen. Ky është një proces ligjor ku ka disa kushte të cilat ndiqen. Qartazi, në këtë rast, është ndikuar një individ. Siç ju thashë, ne nuk duam të targetojmë individë të caktuar.

Blendi Fevziu: Por a keni ndonjë listë tjetër, e cila do të shpallet së shpejti?

Nicholas Abbott: Këtë “listë” nuk e kam te xhepi i pasmë.

Ndonëse ka pak kohë që ka marrë detyrën e re të ambasadorit, Abbot se fsheh dëshirën për të kaluar pushimet në Shqipëri, ku qartazi ka edhe destinacionin e tij të preferuar për festat e fundvitit.

“Po planifikojmë të kalojnë Vitin e Ri në Sarandë. Ky është një vend që duhet vizituar. Mezi po pres të vizitoj Butrintin”, shprehet Nicholas Abbott.

Tv Klan