#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Rikthimi në qendër të vëmendjes të njërës prej këngëtareve më të njohura të viteve ’80, Parashqevi Simakut. Shumë prej atyre që kanë lindur ndoshta në vitet ’90 e njohin përmes imazheve të këngëve në Youtube, disa kasetave që kanë qarkulluar në fillim të viteve ’90 apo në skenat e festivalit. Ishte një lloj meteori që doli përnjëherë në skenën e festivalit, në 7 prej tyre mori 2 çmime të para dhe u kthye në një personazh të imituar nga të gjithë. Jeta e Parashqevi Simakut nuk ishte aspak e lehtë. Ajo u largua nga Shqipëria në vitin 1991 dhe u vendos në SHBA. Të mërkurën e shkuar, tri burime dërguan drejt Blendi Fevziut një kronikë të “ABC7” të Nju-Jorkut, ku tregohej sesi shumë familje përgatisnin çanta shpine për personat e pastrehë. Në të dukej një grua shumë e ngjashme me Parashqevi Simakun, të cilën gazetari Blendi Fevziu e publikoi në rrjetet e tij sociale duke kërkuar informacione. Prej këtij publikimi, u konfirmua identiteti i saj e më tej, pati edhe njerëz që kanë shkuar për ta takuar e ndihmuar.
Të ftuar: Elvira Tata, Zhani Ciko, Ani Simaku, Fisnik Qosja
“Po pres të më sjellin djalin”, Blendi Fevziu tregon fjalët e Parashqevi Simakut
Video e Parashqevi Simakut e publikuar të premten fillimisht nga gazetari Blendi Fevziu në Instagramin e tij, bëri bujë gjatë këtyre ditëve teksa shumë shqiptarë që jetojnë në SHBA u ofruan të gatshëm për ta ndihmuar.
Në emisionin Opinion në Tv Klan mbrëmjen e sotme, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu foli për këtë rast, duke treguar ëndrrat e Parashqevi Simakut për të shkuar në Hollivud, duke nisur me largimin e saj nga Shqipëria drejt SHBA në vitin 1991.
Fevziu kujtoi edhe takimin e fundit në SHBA me Parashqevi Simakun në vitin 1995.
Blendi Fevziu thotë se ka qenë në dijeni se si kishte marrë rrjedha e jetës së Simakut, që kulmoi me divorcin e saj me ish-bashkëshortin libanezo-amerikan. Pas divorcit, gjykata amerikane i dha kujdestarinë e djalit ish-bashkëshortit dhe jo këngëtares shqiptare. Kjo ishte dhe goditja fatale për Parashqevi Simakun.
“Nuk kam dashur të publikoj më shumë materiale. Pse? Parashqevi Simaku u largua në SHBA në një moment dramatik për jetën e saj. Ajo vendosi të ndiqte ëndrrën amerikane. Nuk është e lehtë për askënd. U drejtua drejt hollivudit. U martua me një libanezo-amerikan, me një kitarist. Me të pati dhe një fëmijë. Martesa e saj nuk shkoi mirë. Ka shumë detaje mbi divorcin e saj, mbi procesin gjyqësor që ju bë. Nuk do doja të jepja asnjë nga këto sepse gjithsesi janë informacione personale. Gjykata vendosi që djalin nuk do ta mbante Parashqevi Simaku, por bashkëshorti i saj. Humbja e djalit qe traumatike për Parashqevi Simakun. Menjëherë pas humbjes së djalit, ajo humbi kontaktet me të afërmit, kontaktet me miqtë, u largua nga shtëpia e saj, nuk identifikohej ku gjendej. Për 4 vjet ka jetuar në një qendër hebraike ku qëndrojnë njerëzit e pastrehë. Pas 4 viteve është larguar prej andej. Adresa e fundit e tregonte në Los Anxhelos”, u shpreh Fevziu.
Gazetari theksoi se ish-bashkëshorti nuk pranon asnjë telefonatë në lidhje me Parashqevi Simakun. Teksa kjo e fundit, sipas Fevziut, është shprehur se “pret djalin”.
“Që prej 10 vjetësh fle ku mundet, nëpër rrugë, stacione treni, në zona të ndryshme, ku shumë shqiptarë e kanë identifikuar. Disa prej tyre dhe miq të saj herë pas here e takonin për t’i dhuruar diçka. Ajo e kishte marrë atë vendim si një zgjedhje të sajën, jo si pamundësi. Shumë njerëz kishin shkuar për t’ja ofruar ndihmën dhe ajo e kishte refuzuar. Ajo kishte vendosur ta bënte këtë jetë në një moment traume për arsye të humbjes së fëmijës. E vetmja fjalë që ju ka përsëritur të gjithëve është ‘po pres të më sjellin djalin’. Historia e saj është e një vendimi që kishte marrë në jetën e saj”, theksoi Blendi Fevziu.
Pas publikimit të videos nga Fevziu, në fundjavë e gjeti një zonjë që jeton në SHBA prej 10 vitesh, Elvira Tata, e cila arriti të bisedonte me Parashqevi Simakun në anglisht e më pas në shqip.
Ekskluzive/ Gjeti Parashqevi Simakun, Elvira tregon çfarë i tha artistja: Po pres avokatin për djalin…
Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ajo ka treguar me detaje se si e ka gjetur Parashqevi Simakun në një stacion treni, teksa ka rrëfyer dhe çfarë kanë komunikuar së bashku. Tata thotë se në bisedën që ka pasur me artisten shqiptare, kjo e fundit i ka thënë se ndodhet aty pasi “pret avokatin që t’i sjellë të birin”.
Elvira Tata: Po flas prej Manhatanit.
Blendi Fevziu: Si e gjetët Parashqevi Simakun?
Elvira Tata: Të gjithë do ta bënin një gjë të tillë. Nuk e ndjej se kam bërë një gjë të madhe. Zoti më dha një provë tjetër, unë kisha 10 ditë në spital me mamanë shumë të sëmurë. Morëm një grip të dyja dhe jam e sëmurë nga një virozë dhe kisha 10 ditë që nuk kisha shkuar në punë. Atë ditë që vendosa të shkoja në punë, 2 ditë më parë kisha parë videon që kishit nxjerrë ju dhe mendova “sikur ta gjej unë”. Duke ecur rrugëve, kaloj në stacionin e madh dhe nuk e gjeta. Kur dal nga qendra e madhe e trenave, në një ndërtesë ishte ulur Parashqevia. E njoha nga fytyra, mënyra e veshjes. Ndalova para saj me shumë gëzim dhe i them në anglisht dhe i them “a je ti Parashqevi Simaku” dhe ajo qeshi dhe më tha “Po”. Më tha mua që “nuk je shqiptare, por dukesh si austro-hungareze”, ndërkohë unë kisha telefonin në dorë. Unë atë video e kam ndarë për miqtë e mi dhe ma vodhën. Unë i thashë “si të bëj që të gjej ty”.
Blendi Fevziu: Ajo nuk dinte asgjë?
Elvira Tata: Jo nuk dinte asgjë. Ajo më tha që nuk kam telefon. Ajo më thotë mua që po pres një avokat që të më sjellë djalin dhe pse më ke zënë rrezen e diellit më ke ardhur si një diell, mendova se të solli avokati këtu tek unë. I jam lutur që të mos lëvizte nga vendi.
Foto ekskluzive/ Parashqevi Simaku duke ndjekur emisionin Opinion nga SHBA
Kjo foto ekskluzive vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është këngëtarja Parashqevi Simaku duke ndjekur live emisionin Opinion me Blendi Fevziun në Tv Klan.
Foto është dërguar nga sipërmarrësi Elton Ilirjani, i cili mesa duket ka marrë në shtëpi këngëtaren shqiptare.
Parashqevi Simaku u ndihmua nga Elvira Tata, një shqiptare në Amerikë, dhe Elton Ilirjani, pas publikimit të videos së saj në rrugë nga Blendi Fevziu në Instagramin e tij, rast që u bë viral dhe sensibilizoi shqiptarët në SHBA.
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare është ndihmuar tashmë me ushqime dhe strehim.
“Polici i thoshte ‘çohu’, Parashqevia po flinte mbi valixhe”, Tata rrëfen momentin tronditës
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës artisten e madhe Parashqevi Simaku ka treguar me detaje se si e ka njohur dhe çfarë kanë komunikuar së bashku.
Tata thotë se Simaku nuk e ka pranuar që jetonte në rrugë, por i ka thënë që ndodhet aty pasi pret një avokat që t’i sjellë të birin. Por, momenti kur Elvira Tata ka kuptuar se Parashqevi Simaku jetonte në rrugët e Amerikës ka qenë kur e ka gjetur të shtrirë në 2 valixhe duke fjetur në stacionin e trenit.
Blendi Fevziu: Si e gjetët Parashqevi Simakun?
Elvira Tata: Unë kisha 10 ditë në spital me mamanë shumë të sëmurë. Morëm një grip të dyja dhe jam e sëmurë nga një virozë dhe kisha 10 ditë që nuk kisha shkuar në punë. Atë ditë që vendosa të shkoja në punë, 2 ditë më parë kisha parë videon që kishit nxjerrë ju dhe mendova “sikur ta gjej unë”. Duke ecur rrugëve, kaloj në stacionin e madh dhe nuk e gjeta. Kur dal nga qendra e madhe e trenave, në një ndërtesë ishte ulur Parashqevia. E njoha nga fytyra, mënyra e veshjes. Ndalova para saj me shumë gëzim dhe i them në anglisht dhe i them a je ti Parashqevi Simaku dhe ajo qeshi dhe më tha “Po”. Më tha mua që “nuk je shqiptare, por dukesh si austro-hungareze”, ndërkohë unë kisha telefonin në dorë. Unë atë video e kam ndarë për miqtë e mi dhe ma vodhën. Unë i thashë si “të të bëj që të gjej ty”.
Blendi Fevziu: Ajo nuk dinte asgjë?
Elvira Tata: Ajo më tha që nuk kam telefon. Ajo më thotë mua që po pres një avokat që të më sjellë djalin dhe pse më ke zënë rrëzen e diellit më ke ardhur si një diell, mendova se të solli avokati këtu tek unë. I jam lutur që të mos lëvizte nga vendi.
Blendi Fevziu: Kur u riktheve nga aty, a e rigjete?
Elvira Tata: Unë shkova në punë dhe nuk më zinte vendi. Ishte në rrugë. Më pas mora leje dhe shkova me vrap dhe nuk e gjeta në atë vend. U preva komplet si e lashë, të mos e lija dhe në këto momente m’u kujtua që më tha se “do të më gjesh poshtë sepse poshtë bëhet koncert Jazz dhe më pëlqen të dëgjoj muzikë”. Zbrita poshtë dhe nuk e gjeta dhe u mërzita shumë që nuk e gjeta. U ktheva. Ajo kishte qenë mbi sytë e mi, por shtrirë mbi 2 valixhe dhe kishte futur kokën brenda dhe po flinte. Aty e kam njohur vetëm nga shalli që kishte në qafë.
Ajo nuk qëndronte tek rrjedha e personave që rrinte në trena. Nuk e zgjova nga gjumi. Aty u tmerrova që e pashë të flinte mbi valixhe. Vjen një polic dhe i bie valixheve të saj me shkelma. Dhe polici i tha “çohu”. I thashë mos e prek me dorë, është kushërira ime. Polici kishte vite që e shihte dhe e dinte se kush ishte. Unë i thashë “do të vish me mua”. E kam çuar në një restorant aty afër dhe shkova të porosisja ushqimin. Kërkoi mish dhe tha se kam mall nga Shqipëria. Herë më fliste shqip e herë anglisht. Nuk pranonte që jetonte aty poshtë, aq krenare. Unë e kuptova që jetonte si e pastrehë.
Zhani Ciko për Parashqevi Simakun: U trondita shumë, nuk ja uroj as…
Profesori dhe maestro Zhani Ciko thotë se u trondit ku pa videon dhe pamjet e këngëtares Parashqevi Simaku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, Zhani Ciko rrëfeu momentet e para kur e ka njohur Parashqevi Simakun.
Ai thotë gjendjen në të cilën pa Parashqevi Simakun nga pamjet e publikuara së fundmi nuk ja uron askujt.
“Një tronditje shumë e madje. Nuk dëshiroj të shoh asnjë njeri që nuk kam simpati, jo për atë që unë kam simpatinë më të madhe dhe konsideratën si talent, që ta themi duket që nuk e realizoi dot ëndrrën e saj”, tha ndër të tjera Zhani Ciko.
“Nuk vuan nga asnjë gjë”, Elvira tregon gjendjen shëndetësore të Parashqevisë: Me Eltonin vendosëm…
Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar detaje se si ra në gjurmët e artistes.
Ajo ka rëfyer me detaje se çfarë kanë komunikuar së bashku dhe si është lidhur me këtë ngjarje edhe biznesmeni Elton Ilirjani. Tata tregon se Ilirjani e ka kontaktuar në telefon pasi kishte marrë vesh që kishte rënë në gjurmët e ikonës.
Ndër të tjera në intervistën për ‘Opinion’, Elvira Tata tregon se Parashqevi Simaku është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe se tashmë ndodhet në hotelin e siguruar nga ajo dhe biznesmeni.
Elvira Tata: Kaluan dy orë dhe kam ndenjur në stacion duke pritur. Shikoj një çantë të dytë të zezë që ishte e kësaj. Kjo ishte duke fjetur gjumë, mbi valixhe. Ndërkohë e morra. Përpara se të vinte më merr Elton Ilirjani dhe më thotë ‘Elvirë ku je se e kam marrë vesh që e ke gjetur. Të lutem më thotë më trego vendin ku je të vij’. I thash po e kërkoj dhe nuk e gjej nuk është këtu. Nëse ajo vjen unë do të të telefonoj që të vish ta takosh. ‘Të lutem tha bëje për mua. Nuk dua ta ndash gjithë hallin që ke sepse edhe ti refugjatë je si unë. Unë të përgjigjem për shumë gjëra. Kam dëshirë të jap diçka më tha. Më lër ta takoj’. Absolutisht i thashë nëse unë e takoj tani pse jo të vish dhe kur ajo erdhi unë i shkruajta mesazh ‘Elton erdhi’. Unë i them mërzitesh që do të vijë edhe një shoku im e ka dëshirë të të takojë. Mërzitesh të të takojë. Jo më tha absolutisht, do ta respektoj si mikun tënd. Kaq ishte takimi. Erdhi Eltoni, u ulëm diskutuam, u përqafuam, qamë, u kënaqëm…
Blendi Fevziu: Si është tani si gjendje?
Elvira Tata: Ajo nuk vuan nga asnjë gjë, s’ka pirë asnjë ilaç deri tani me sa më tha. Ka një memorie të papaparë. Ka një dashuri pafund për njerëzit. Është shumë e butë dhe më tha vetëm një gjë. ‘Diçka të mirë kam bërë që të solli zoti tek unë. Ti je një ëngjëll për mua. Njerëz të tjerë kanë ardhur e kanë ikur ndërsa ti më je drejtuar me një forcë…’
Blendi Fevziu: Pra e kishin takuar edhe shqiptarë të tjerë më para?
Elvira Tata: Po e kanë takuar i kanë çuar ndonjë ushqim, por nuk janë kthyer për së dyti.
Blendi Fevziu: Është e siguruar për momentin?
Elvira Tata: Në këtë moment e vendosim me Eltonin që as në shtëpinë time as në tënden për t’i lënë pak privatësi. Vendosëm t’i marrim një shtëpi shumë afër shtëpisë sonë që të jetonte sa më mirë. Bëmë një plan që të fillojmë që nesër që t’i nxjerrim dokumentacionin se nuk ekziston asnjë kartë identiteti. M’i kanë vjedhur të gjitha në shtëpi më tha, me kaseta me të gjitha. Në këto momente vendosim me Eltonin që ta çojmë në hotel. E çojmë në hotel me shumë peripeci. I thamë do të shkojmë të marrim ushqime ti do të bësh dush deri sa të vijmë ne. Do të ikim të hamë një darkë dhe do t’ia vendosim emrin ‘ditëlindja e Parashqevisë’. Unë s’kam bërë kurrë ditëlindje tha dhe ju mbushën sytë me lot.
“Djali vendos si do shkojë jeta ime”, rrëfimi i Parashqevi Simakut për Elvirën: Jam betuar për diçka…
“Avokati do të më sjellë djalin sepse ai vendos për mua se si do të vejë jeta ime dhe unë jam betuar për diçka dhe do e pres këtu në rrugë”, kështu mësohet t’i ketë thënë Parashqevi Simaku, Elvira Tatës gjatë kohës kur kjo e fundit e gjeti artisten ikonë të Shqipërisë në rrugët e Amerikës.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tata thotë se edhe pse Parashqevi Simaku jetonte në rrugë, ajo nuk pranonte para dhe as nuk kërkonte ushqim teksa shton se artisja ju dhuronte vetëm buzëqeshje kalimtarëve.
Elvira Tata: Pasi hëngrëm bukë, i them se “duhet të iki në punë, por nuk duhet të lëvizësh”. Më tha që “nuk do të lëviz, madje nuk e hëngra bukën që kur të ikësh ti të mos më përzënë kamarierët”. Dhe ika në punë prapë, kthehem dhe nuk e gjej pranë në restorant. Ajo po këndonte me një këngëtar të rrugës jazz. I thashë “sa mirë që të gjeta”, i thashë “do të ikim tek shtëpia ime sepse mamaja ime mezi po të pret”. Më tha “jo sepse kam frikë se më vjen avokati dhe nuk më gjen këtu”.
A i thashë unë “po si do të vijë avokati, ora 11 e natës”, i thashë. Më tha që do të më sjellë djalin sepse më tha “djali ime vendos për mua se si do të vejë jeta ime sepse unë jam betuar për diçka dhe unë do të rri këtu që ta pres”. Më pas, u ulëm tek një lokal aty pranë dhe më tha “më lër dhe sot, kismet nesër”. I them këngëtarit që “e njeh këtë grua, kjo është një këngëtare shumë e famshme në Shqipëri” dhe më tha “merreni pse e lini këtu ju”. Aty e kuptova se jetonte në rrugë.
Në këto momente kthehem në orën 10 të mëngjesit aty ta gjej dhe nuk e gjeta dhe u mërzita shumë. Herën e tretë, jam kthyer se nuk kisha Lekë kesh, kam marrë 20 Dollarë dhe ja kam sjellë që të paguajë telefonin. Nuk pranoi t’i merrte Lekët në botë, absolutisht, as ushqim nuk kërkonte, vetëm ju buzëqeshte njerëzve që kalonin në rrugë. Në darkë më tha mua “Elvirë më quajnë e pastrehë”, por më tha që “pa ardhur avokati nuk do të lëviz nga ky vend”. Nuk e kuptova çfarë ishte ajo lidhja që kishte me avokatin.
/tvklan.al