#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Alban Xhihani, Vilma Masha, Erjon Xhafa, Ervin Bulku, Ivan Gvozdenoviç, Qeqa Krelani

Ditën e premte, dy ishin ngjarjet kryesore të cilat dominuan jo vetëm atë ditë, por fundjavën dhe kanë mbetur ngjarjet kryesore edhe të kësaj fillimjave. E para ishte hedhja e shortit të eleminatoreve të Kampionatit Botëror ku Shqipëria rikthehet në një grup problematik, nisur nga historia sesa nga konkurrenca sportive. Shqipëria do të jetë në një grup me Anglinë, një prej ekipeve më të forta të kontinentit, me Serbinë, ndeshje me të cilën në vitet 2014 dhe 2015 kanë ngjallur një debat mjaft të gjerë që i ka tejkaluar thjesht konturin e një debati sportiv, me Letoninë dhe Andorrën, dy ekipe më modeste në krahasim me Shqipërinë. Më shumë sesa shorti, ndeshja Shqipëri-Serbi rikthen historinë e 10 viteve më parë.

Shqipëria dhe Serbia në një grup/ Trajneri serb ka një formulë tjetër: Po të bëhemi bashkë, heqim Anglinë

Shqipëria dhe Serbia do të luajnë së bashku në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2026, duke na rikthyer në kujtesë ndeshjen e vitit 2014 midis dy kombëtareve.

Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka bërë thirrje për të pasur ndeshje të qeta dhe gjithçka të jetë në kuadër të futbollit, si dhe ka kërkuar nga Federata Serbe që të organizojë gjithçka sipas rregullave.

Por teksa kjo ndeshje pritet me entuziazëm, trajneri serb në Shqipëri, Ivan Gvozdenoviç, ka një tjetër formulë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Gvozdenoviç tha me humor që Shqipëria dhe Serbia mund t’i marrin së bashku vendin e parë dhe të dytë Anglisë, që është në të njëjtin grup.

“Shorti është i vështirë, grupi është i fortë dhe interesant. I fortë sepse kemi Anglinë brenda, interesant sepse kemi një ndeshje midis Shqipërisë dhe Serbisë. Nëse jemi bashkë, heqim nga loja Anglinë dhe do kapim vendin e parë dhe vendin e dytë, prapë ne jemi në rregull”, tha trajneri serb Ivan Gvozdenoviç.

Në eliminatoret për Botërorin 2026, Shqipëria është në grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

/tvklan.al