Armando Broja është i ndërgjegjshëm se i detyrohet shumë klubit të Evertonit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e ka mendjen që të shënojë sa më shumë, ndërsa beson se ai dhe Dominic Calvert-Leëin mund të mësojnë nga njëri-tjetri.

Më 22 Dhjetor, Tofis do të ndeshen me Çelsin, por Broja nuk mund të luajë kundër ekipit që zotëron kartonin e tij. Ai ka hyrë si zëvendësues në dy ndeshjet e fundit që Everton ka pasur në Premier League ndaj Uolvs dhe Arsenalit.

Për britaniken Liverpool Eko, Broja thekson se ka bashkëpunim të mirë mes tij dhe sulmuesit tjetër Kalvert-Lein.

Armando Broja: Dominik më ka inkurajuar në stërvitje dhe më ka ndihmuar shumë! Është mirë të nxisim njëri-tjetrin, por edhe pak presion, pasi e bën bashkëpunimin më të shëndetshëm. Ai gjithmonë më jep këshilla! Them se ai mund të mësojë nga unë dhe unë gjithashtu mund të mësoj disa gjëra prej tij! Thjesht përpiqem të bëj lojën time! Jam shtatlartë, i fortë fizikisht dhe më pëlqen të bëj presing dhe i aftë t’i zgjidh gjërat shpejt!

Broja tregon edhe për mbështetjen që ka pasur nga Tofis dhe te fakti se ai kërkon që këtë ndihmë nga klubi, ta shpërblejë me gola.

Armando Broja: Everton tregoi shumë interes për mua dhe më mbështeti, kështu që i detyrohem shumë! Klubi më ndihmoi mjaft gjatë dëmtimit dhe më ktheu në formë, si edhe buzëqeshjen në fushë! I jam vërtet mirënjohës! Gjithçka kaloi më së miri dhe ndihem tepër në formë!

Broja ka një kontratë me Chelsea deri në vitin 2028, por në përfundim të sezonit, Everton ka një opsion për ta blerë kartonin e shqiptarit.

Nëse sulmuesi kuqezi bind, mund të zërë vendin e Calvert-Leëin, të cilit kontrata i përfundon në fund të vitit futbollistik.

Klan News