Tragjedia me 8 viktima në familjen Lala, gazetarja zbulon fakte tronditëse
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar këtë mbrëmje në “Opinion”, ka zbuluar detaje nga dosja e Prokurorisë lidhur me hetimet që po kryhen për përgjegjësit për banesat që u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit dhe vënien para drejtësisë.
Gazetarja tha se sa i takon vilës katër katëshe në zonën e Kënetës në Durrës, ku humbën jetën 8 pjesëtarë të familjes Lala, ka rezultuar që në këtë ndërtesë ka pasur disa parregullsi.
Ajo u shpreh se është ndërhyrë në kolona dhe pesha nuk ka mbajtur, ndërsa shtoi se shkelje të tjera lidhen me mënyrën sesi janë bërë këto ndërtime.
“Këtu ka një skandal sepse ka një kontratë mes pronarit dhe një kompanie, që në pamje të parë duhet si kompani prestigjioze, por në fakt kjo kontratë është vetëm në letër dhe punimet nuk i ka bërë kompania në fjalë”.
Lala tha se Prokuroria ka evidentuar se banesën e ka ndërtuar një person, që nuk është e qartë nëse është individ apo firmë ndërtuese, ndërsa deklaroi se për legalizimin e saj është përdorur një projekt i falsifikuar.
“Por skandali qëndron se është përdorur një projekt i falsifikuar, i firmosur nga Neviana Isufaj, e arrestuar, e cila është arkitekt, dhe ky projekt nuk ka qenë i shtëpisë por është përdorur vetëm për legalizim”.
“Nuk kam mundur t’i them askujt që të blejë një banesë në Durrës”
Astrit Nixha arkitekti nga Kosova është shprehur sonte në “Opinion” se nuk ka mundur që t’u sugjerojë miqve apo të njohurve të tij, një shtëpi që ia vlente të blihej në zonën e plazhit në Durrës.
Në debatin e zhvilluar për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 26 nëntor si pasojë e tërmetit 6.4 ballë, Nixha tha se nga nga këqyrja që ka bërë, ka parë që nuk janë respektuar rregullat bazë të ndërtimit, duke i bërë këto ndërtesa të rrezikshme në raste të tërmetit apo të rasteve urgjente.
Ai e ka cilësuar gjendjen në këtë zonë si katastrofike, ndërsa tha se ndërtimet janë bërë pa marrë parasysh rregullat që edhe në ligj janë të përcaktuara qartë.
“Nuk kam mundur t’i them askujt që mund ta leje një banesë në këtë zonë. Një gjë e vogël që askush nuk e cilëson, një ligj që ne nuk e kemi, është që në një vend që hyjnë më shumë se 15 veta, dera duhet të hapet nga jashtë jo nga brenda. Është standard botëror, sepse nëse ti je i pari dhe turma është pas teje, ti nuk e hap dot derën. Kështu kur dikush të pyet a duhet ta marrë një banesë këtu, ti i thua jo…”.
“Akt-ekspertimi tek hotel Mira Mare i përket një eksperti të vdekur prej 5 vitesh”
Hotel “Mira Mare” në Durrës, që u shemb tërësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit ku dhe humbën jetën dy persona, rezulton të jetë ndërtuar pa leje dhe të jetë legalizuar me dokumente të falsifikuara. Kështu ka deklaruar në emisionin “Opinion” gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar hetimeve të Prokurorisë.
Sipas gazetares, ndërtuesi i arrestuar i këtij hoteli, Rruzhdi Xheka ka përdorur një akt-ekspertimi të falsifikuar për të legalizuar këtë objekt. Ky akt-ekspertimi, tha gazetarja Lala, i përket një eksperti që ka ndërruar jetë 5 vite përpara legalizimit të hotel “Mira Mare”.
“Do ta nis fillimisht me pistat e hetimeve ku është ndalur Prokuroria. Janë tre prokurorë të cilët janë duke u marrë me hetimin për të gjitha banesat dhe objektet e shembura. Dhe më pas është një grup prej tre prokurorësh të tjerë të cilët po merret me ato ndërtesa që kanë pësuar dëmtime të rënda, dëmtime të mesme apo dëmtime të lehta.
Dua të nis pikërisht nga “Mira Mare”. Aty është arrestuar ndërtuesi i “Mira Mares” Rruzhdi Xheka. Në rrënojat e këtij hoteli për fat të keq humbën jetën dy persona. Hotel “Mira Mare” jo vetëm që është legalizuar është një ndërtim tërësisht pa leje dhe është legalizuar në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e thotë shumë qartë, hotel “Mira Mare” ka filluar të ndërtohet për vite me radhë për të përfunduar dhe për t’u legalizuar në vitin 2018.
Problemi është që për legalizimin e këtij objekti, ndërtuesi ka përdorur krahas të tjerave edhe një akt-ekspertimi, që është i domosdoshëm për legalizimin dhe është një akt-ekspertimi tërësisht i falsifikuar, sepse eksperti i cili presupozohet që e ka përpiluar këtë akt, rezulton të ketë ndërruar jetë 5 vite përpara se sa të bëhej legalizimi”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala. /tvklan.al