Diskutimet mes shumicës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore po vijojnë në mekanizmin e emërtuar nga grupi i dialogut. Por përfaqësuesit demokratë e kanë parë të nevojshme të dalin në konferencë për t’i thënë publikisht kërkesat e tyre. E para dhe e panegociueshme është rikthimi i koalicioneve në formën që ishte përpara ndryshimeve kushtetuese të 2020.
Oerd Bylykbashi: Zgjedhësit kanë të drejtën të përzgjedhin brenda një koalicioni partinë që dëshirojnë ata.
Por në një intervistë për Tv Klan javën e shkuar, Damian Gjiknuri duke artikuluar qëndrimin e prerë të shumicës, nuk la asnjë shteg që kjo kërkesë të pranohet.
Damian Gjiknuri: Formulimi i koalicioneve nuk ndikon aspak në pabarazinë e palëve në zgjedhje.
Bylykbashki kërkon që të rikthejnë marrëveshjen e 5 Qershorit 2020. Ai kërkon po ashtu sanksione edhe më të ashpra për shitblerjen e votave edhe pse vetë pohon se nuk është problem ligji në vetevete sesa fakti që sipas tij SPAK-u nuk po heton.
Oerd Bylykbashi: Ne SPAK-ut nuk i besojmë aspak. Ne SPAK-ut po i kërkojmë të zbatojë ligjin.
Edhe për këtë çështje, socialistët nuk duken shumë të interesuar për ta pranuar, siç nuk shprehin interes për ta bërë votimin e detyruar siç kërkon opozita.
Oerd Bylykbashi: Votimi të jetë i detyrueshëm.
Por dhe vetë demokratët nuk duket se kanë gatishmëri të pranojnë ndonjë propozim të PS-së edhe pse vetë vendosin kushte të panegociueshme.
Oerd Bylykbashi: Kërkon primin, por për çfarë e kërkon? Për t’u shpallur mbret Edi Rama?
Demokratët besojnë se vota e emigrantëve mund të bëhet realitet që në zgjedhjet e 2025, ndërsa akuzojnë socialistët se nuk e duan pasi më shumë se gjysma e popullatës ka ikur jashtë për shkak të keqqeverisjes sipas tyre.
Oerd Bylykbashi: PD angazhohet që të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës.
Pavarësisht qëndrime publike ekspertët e të dy palëve po punojnë mbi propozimet e tyre dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Tv Klan