Itali-Ende asnjë shpresë për 30 personat e mbetur të bllokuar nën dëborë dhe rrënojat e hotelit ‘Rigopiano’ në Farindola, i cili u godit nga një ortek një dite me parë, si pasoje e tërmeteve të njëpasnjëshme që goditen Italinë qendrore të mërkurën.
Këto janë pamjet e fundit që vijnë nga vendi i ngjarjes. Siç shihet hoteli është shkatërruar plotësisht dhe është zhdukur nën dëborë.
Situata është dramatike, ekipet e shpëtimit e kanë të vështire të punojnë për të nxjerre viktimat e dyshuara, të cilët kanë më shume se 24 orë që qëndrojnë të bllokuar.
Deri tani 4 viktima janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa konfirmohet se 2 persona janë nxjerrë të gjallë dhe po mjekohen në spital.
30 persona, klientë dhe stafi i hotelit, mes tyre edhe fëmijë, ndodheshin në ambientet e brendshme kur një ortek gjigant u shkëput nga mali Gran Sasso dhe goditi hotelin.
Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht por tonelata dëborë po shuajnë pak nga pak mundësitë për ndonjë të mbijetuar./ TV KLAN