Zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Gara po ndiqet nga afër, jo thjesht si proces për të zgjedhur udhëheqësit, por edhe për të vendosur kredencialet demokratike të Shqipërisë.

Vendi ynë u bë anëtare e NATO-s këtë vit dhe ka paraqitur edhe kërkesën për anëtarësi në Bashkimin Evropian. Sipas OSBE që nga vendosja e sistemit shumë- partiak në Shqipëri asnjë nga zgjedhjet e zhvilluara nuk ka plotësuar standardet ndërkombëtare.

Në një intervistë për BBC-në zëdhënësi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë Jens Eschenbacher thotë se janë ndërmarrë hapa për të kufizuar mundësinë e abuzimit apo manipulimit të sistemit. Këtë herë pjesë e këtyre hapave kanë qenë edhe partitë kryesore politike. Kjo, pra, është sigurisht pozitive vazhon më tej zëdhënësi i OSBE-së.

Eschenbacher sqaron se vëzhguesit europianë do të marrin pjesë edhe në numërimin e votave për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi. BE-ja e ka bërë shumë të qartë se i konsideron këto zgjedhje si një test të rëndësishëm për gatishmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara drejt integrimit më të afërt në bllok.

Unë mendoj thotë Eschebacher për BBC se ky mesazh është marrë shumë seriozisht këtu në Shqipëri dhe kjo është arsyeja pse ka kaq shumë vëmendje për atë që do të raportojnë vëzhguesit tanë nesër pas zgjedhjeve.

Deklarata e OSBE-së për mënyrën e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, se deri në ç’masë ato janë zhvilluar konform standardeve ndërkombëtare, sigurisht që do të luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin që do t’i bëjë komuniteti ndërkombëtar për shkallës së gatishmërisë së Shqipërisë për të ecur përpara në këtë proces./tvklan.al