Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer në rishqyrtim Kuvendit të Kosovës Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Sipas njoftimit për media, Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në vendimin e presidentes thuhet se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar.

Kjo, sipas arsyetimit të presidentes, rrezikon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.

“Mos përfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme krijon një vakum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme”.

Presidentja Osmani ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit këtë ligji me qëllim të përfshirjes së kapitullit i cili rregullon funksionimin e Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Presidentja gjatë ditës i ka kthyer Kuvendit edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Tv Klan