Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia ka prezantuar presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

Në takimin që zhvilloi me të, Osmani raportohet të ketë theksuar se lënia në liri e terroristit Milan Radoiçiç në Serbi, është dëshmi që shteti serb nuk është i gatshëm për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se ajo prezantoi presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e Shtatorit të vitit të kaluar.

“Është shumë me rëndësi, që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja”, tha Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për hetimin e aktit terrorist si dhe ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

Edhe kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar dorëzimin nga Serbia të Radoiçiç. Në një takim që ka zhvilluar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka biseduar për sulmin e 29 Nëntorit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

“Sulmi i 29 Nëntorit, ishte sulm mbi popullsinë civile meqë përmes tij u rrezikua që më shumë se gjysma e popullatës së vendit të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë”, tha Kurti.

Javën e kaluar, në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Tv Klan