Vrasja e Liridona Ademajt, u kthye në një nga temat më të komentuara për shkak të brutalitetit që e shoqëronte këtë ndodhi. E ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka qenë ekspertja për çështjet sociale, Suela Koçibellinj, e cila ka bërë një analizë të përgjithshme psiko-sociale të të gjithë ngjarjes.

Ajo u shpreh se vrasësi, Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i duhej bërë një analizë e mirëfilltë psiko-emocionale për të kuptuar arsyet e vërteta që e çoi atë të ndërmerrte një veprim të tillë.

Sipas Koçibellinj, këta tipe njerëzish që kryejnë vrasje në familje, kanë tendencën që ta shikojnë partneren e tyre si pronë dhe në momentin që e kuptojnë se po humbasin pushtet, bëhen kërcënues e të rrezikshëm.


Suela Koçibellinj: Ka një lloj parakushti, ka një lloj situate paraprake që zhvillohet te këta njerëz, të cilët përfundojnë pastaj deri në këtë pikë. Kryesisht, normat fillojnë me të qenët sociopat në të tërin e tij. Pra, këta distancohen disi nga realiteti në një mënyrë ose në një tjetër. Pra, diku ata duan të jenë në një realitet tjetër. Unë do doja për shembull, që sigurisht të bëhet një hetim, por a i është bërë një vlerësim psiko-emocional këtij njeriu? Neve këtu na mungojnë në Shqipëri. Pra, ne kemi vrasje brenda familjes, vrasje të tmerrshme nga këto nivele dhe asnjëherë nuk bëhet një analizë e mirëfilltë psiko-emocionale për të kuptuar ku është ky njeri me unet e tij.

Atëherë, ky person në fjalë, me aq sa unë kam lexuar për të, sigurisht vejnë nga një arsim i mesëm. Pra, njerëzit të cilët bëjnë një krim brenda familjes, dhe ky është krim brenda familjes, kanë disa tipare të përbashkëta në të gjithë botën. Janë tiparet e përbashkëta, që kanë të bëjnë me nivelin e arsimimit, që ka të bëjë me kulturën ku janë rritur, pra fryma e tyre se si janë rritur dhe si e vlerësojnë rolin e gruas në familje. Kryesisht, tipat ose meshkujt që bëjnë vrasje partneret e tyre të ngushta, janë ata të cilët i vlerësojnë ato si prona. Në momentin që shohin që pushteti i tyre po humbet, për një arsye ose për një tjetër, mund të humbasë për arsye ekonomike, mund të humbasë për arsye e të qenët publik, mund të humbasë për arsye sepse nuk respektohet më nga grupi i ngushtë, pra ka pasur këtë lidhjen tjetër personale me një person tjetër. Në momentin që ai ndjen se po i humbet pushteti, ai bëhet kërcënues dhe kthehet i rrezikshëm. Zakonisht kjo, forcohet dhe kthehet e kërcënueshme për t’u kthyer në vrasje për gruan, në momentin që perceptohet se mund të ketë divorc. Sepse këtu humbet komplet kontrollin ndaj partneres së tij.

Agresiviteti i tyre, nga kontroll cilësor, që unë po të kontrolloj, po mundohem të kujdesem për ty, po mundohem të të siguroj jetën, tek unë të izoloj, unë vendos për ty, ti do bësh çfarë them unë dhe unë të marrë jetën ty. Kjo është mënyra se si bëhen, ose degradojnë marrëdhëniet në çift dhe pastaj përfundojnë në vrasje.


Ekspertja gjithashtu u shpreh se personat që shkojnë tek një i tretë për të kryer vrasjen, e bëjnë sepse duan të ndihen të pafajshëm.

Klodiana Lala: Po si e analizon këtë pjesën që ata në fund fare kanë nxituar? Pra, e kanë menduar një vit dhe në fund fare janë bërë flakë për ta kryer krimin.

Suela Koçibellinj: Prit ta shpjegoj dhe këtë. Po lexoja një studim të fundit të bërë nga “Oxford”, sot po e lexoja. Kryesisht, kur partneri mashkull është i fiksuar me mendimin “do e vras”, sepse kjo është e fundit që ai të tregojë pushtet, pra nuk e bëre ti, e bëra unë. Prandaj unë mendoj që ka nevojë për një analizë psiko-emocionale në këtë rast. Nëse një person është i fiksuar dhe këtë fiksim ai e ushqen çdo ditë, që ky është fundi, unë do të të kontrolloj edhe jetën tënde, do të marrë jetën tënde, studimet tregojnë që kryesisht përfundojnë në një gjë krejt të pakontrolluar.

Klodiana Lala: Po, por studimet thonë që e kryejnë vetë, jo përmes personave të pajtuar, pra të paguar.

Suela Koçibellinj: E bëjnë vetë kur nuk e kanë menduar, më beso. Kur nuk e kanë menduar mirë, një vit, dy vite, tre vjet, bëjnë vetë sepse janë emocional. Kur e kanë fiksim, në paranojë.

Klodiana Lala: Pra shkon tek një i tretë, dhe pse e bën këtë sipas studimeve?

Suela Koçibellinj: Ai e ka vendosur që kjo është rruga. Sipas studimeve, këtë e bënë sepse do të ndihet i pafajshëm. /tvklan.al